Maqedoni

Fetai: Badinteri nuk preket

22.08.2025 17:20

Lidhur me çështjen e Badinterit ka reaguar edhe zëvendëskryeministri...

Lidhur me çështjen e Badinterit ka reaguar edhe zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.
 
“Në këtë periudhë fushate po shohim që shpesh hidhen ide e fantazi që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin, por synojnë vetëm një efekt elektoral afatshkurtër. Për këtë arsye dua të jem i qartë: Badinteri nuk preket, thotë zëvendëskryeministri, Fetahu. Sipas tij, mekanizmi i shumicës së dyfishtë është themel i rendit kushtetues dhe garanci e demokracisë konsensuale në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai është mekanizëm që mbron barazinë politike, bashkëjetesën ndëretnike dhe stabilitetin e vendit. Pa të, nuk do të kishte as paqe, as stabilitet, as rrugë evropiane për shtetin tonë. Çdo ide për ta vënë në pikëpyetje Badinterin është jo vetëm e pavend dhe juridikisht e pamundur, por edhe e dëmshme për të ardhmen tonë evropiane. Nuk ka deputet shqiptar që do ta përkrahte një iniciativë të tillë dhe pa votat shqiptare ky mekanizëm nuk mund të ndryshohet. Ky është fakt politik dhe juridik që nuk ndryshohet me deklarata parazgjedhore.”, thekson Fetai. 
 
Ai thotë se institucionet e vendit, Qeveria dhe ai si zëvendëskryeministër, mbeten të përkushtuar në mbrojtjen e Badinterit, të Marrëveshjes së Ohrit dhe të parimeve evropiane mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë.
 
“Republika e Maqedonisë së Veriut ka të ardhme vetëm si demokraci konsensuale, me barazi të plotë dhe respekt reciprok mes qytetarëve të saj.”, theksoi zëvendëskryeministri, Fetai.