Maqedoni
Të besuarit e Qeverisë nëpër komuna, reagime partiake ndaj qëndrimit të Mickoskit
22.08.2025 17:43
LSDM-ja opozitare ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Mickoski...

LSDM-ja opozitare ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Mickoski se nëse procesi zgjedhor nuk është i suksesshëm, Qeveria do të emërojë të besuarit e saj për drejtimin e komunave.
Sipas LSDM-së, kjo nënkupton se në prag të zgjedhjeve lokale, kryeministri Hristijan Mickoski hapur paralajmëron pezullimin e Kushtetutës dhe vullnetin e qytetarëve.
“Deklarata e tij për vendosjen e “të dërguarve qeveritarë” përfaqëson një sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues dhe ndaj vullnetit demokratik të qytetarëve…Teza për “fletëvotime ngatërruese” për shkak të kandidatëve të pavarur është absurde. Edhe në zgjedhjet e kaluara lokale ka pasur një numër të madh kandidatësh dhe listash të pavarura në komuna dhe kjo kurrë nuk ka qenë pengesë. Pse pikërisht tani i pengon Mickoskit liria demokratike e qytetarëve për t’u kandiduar dhe për të dhënë votën e tyre?”, kanë pyetur nga LSDM.
Edhe Partia për Rindërtimin Demokratik të Maqedonisë e kanë quajtur këtë qëndrim jo demokratik të kryeministrit, duke theksuar se e humb kuptimin e zgjedhjeve dhe e injoron vullnetin e qytetarëve. E Majta thotë se të pavarurit mund të shohin partner te kjo parti.
Ndërsa BDI vlerëson se Mickoski ka plane ogurzeza për komunat shqiptare, sabotim të zgjedhjeve dhe kryetarë të dhunshëm të emëruar nga Qeveria.
Kryeministri Mickoski nuk e përjashton mundësinë për probleme në procesin zgjedhor duke marrë parasysh mundësinë e kandidaturave të pavarura me vetëm dy nënshkrime, që mund ta rrisë numrin e kandidatëve dhe ta bëjë fletëvotimin e gjatë dhe konfuz.
Prandaj, ai paralajmëroi se nëse zgjedhjet dështojnë, Qeveria ka të drejtë kushtetuese dhe ligjore të emërojë të besuarit e saj nëpër komuna.
