Maqedoni
Numri i këshilltarëve, partitë shqiptare me qëndrime ndryshe
23.08.2025 14:04
Vendimi i KSHZ-së për numrin e këshilltarëve ka ngjallur reagime në bllokun politik shqiptar....

Vendimi i KSHZ-së për numrin e këshilltarëve ka ngjallur reagime në bllokun politik shqiptar. BDI konsideron se vendimi jo vetëm që është i dëmshëm politikisht për shqiptarët, por është edhe precedent i rrezikshëm që kthen vendin pas në kohën e para vitit 2001.
“Me këtë vendim, komunat shqiptare dëmtohen drejtpërdrejt, vetëm në Gostivar numri i këshilltarëve ulet nga 31 në 23; ndërsa në Strugë, Kërçovë, Vrapçisht, Zhelinë dhe Tearcë ulen nga 4 këshilltarë për secilën komunë. Për më tepër, diaspora përjashtohet nga përllogaritja zyrtare, duke e dëmtuar edhe më shumë përfaqësimin dhe zhvillimin ekonomik të komunave tona.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Koalicioni VLEN me kundërpërgjigje se BDI bën sikur është e shqetësuar për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve, por janë pikërisht ata e krijuan padrejtësinë që sot e denoncojnë.
“Ligji për regjistrimin, nga shkronja e parë deri te e fundit, është vepër e ministrave dhe deputetëve të BDI-së. Bujar Osmani, Artan Grubi, Fatmir Besimi dhe kolegët e tyre e përgatitën dhe e propozuan ligjin, ndërsa Arbër Ademi dhe grupi i tij parlamentar e votuan pa asnjë vërejtje. Ata i futën grafat që nuk ekzistojnë askund në botë, ata lejuan që bashkëqytetarët tanë nga diaspora të trajtohen si të huaj në shtetin e tyre. Rezultati është i qartë dhe tragjik: numri i shqiptarëve nuk është gabim statistikor, por zvogëlim i qëllimshëm dhe sulm ndaj përfaqësimit të drejtë.”, thuhet në reagimin e koalicionit VLEN.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka miratuar udhëzimin për numrin e këshilltarëve në komunat dhe në qytetin e Shkupit. Vendimi u mor me pesë vota “pro” dhe një “kundër”. Anëtarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu e cila votoi kundër ka reaguar për këtë vendim, duke thënë se nuk ka konsensus dhe se ky vendim është sjellë në kundërshtim me rregulloren. Ajo paralajmëroi gjithashtu se do të dorëzoj padi në gjykatën administrative, të drejtën të cilën i’a mundëson kodi zgjedhor.
MERAL ISMAILI
