Maqedoni

Panairi politik i VMRO-DPMNE-së, Mickovski: Kemi punuar për qytetarët, komunat

23.08.2025 14:25

Mickoski tha se mandati katërvjeçar ka qenë i përkushtuar ndaj qytetarëve dhe zhvillimit të komunave...

Në panairin politik “4 vite punë për ty”, kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se mandati katërvjeçar ka qenë i përkushtuar ndaj qytetarëve dhe zhvillimit të komunave, pavarësisht mungesës së mbështetjes nga pushteti qendror. Ai theksoi se kryetarët e komunave nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit kanë ruajtur besimin e qytetarëve duke menaxhuar me përgjegjësi, pa skandale dhe pa përfshirje në kriminalitet. Mickoski përmendi dhjetëra projekte infrastrukturore si ujësjellësi, kanalizime, terrene sportive, tregje moderne, stacione pastrimi, shkolla e çerdhe, si dhe mbështetje për fëmijët nga familjet më të varfëra. Me këtë rast, Mickovski duke theksuar nevojën për ndryshime dhe përmirësime në bazë të nevojave të qytetarëve pas zgjedhjeve të 19 tetorit paralajmëroi rikonstruim të Qeverisë. 
 
Ai njëherit mohoi zërat se pas zgjedhjeve lokale, BDI mund të jetë pjesë e qeverisë duke porositur se ata edhe për një kohë të gjatë do të mbesin në opozitë.
 
“Një person më tha: “Po e përgatisni BDI-në që të jetë partner në Qeveri.” Përgjigjja ime e drejtpërdrejtë është: BDI do të qëndrojë në opozitë për një kohë të gjatë, sepse deri tani nuk ka mësuar asnjë mësim. Ne nuk i vendosëm në opozitë që pa mësuar asnjë gjë të kthehen në pushtet. Aty ata i takojnë me partnerin e tyre koalicional në krim dhe sulmet ndaj Maqedonisë, LSDM. Unë do të jem shumë i qartë dhe i saktë: këto zgjedhje nuk do të jenë dera për BDI në qeveri, dhe intrigat dhe lojërat nga Zajasi dhe Reçica e Vogël, nuk do të kalojnë.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickovski.
 
LSDM: VMRO-DPMNE solli zhgënjim për qytetarët
 
Ndërkohë, opozita maqedonase LSDM,  akuzon se katër vitet e fundit të qeverisjes lokale të VMRO-DPMNE-së kanë sjellë më shumë zhgënjime sesa zhvillim për qytetarët. Sipas tyre, në vend të projekteve, komunat janë përballur me rritje të çmimeve, kaos urbanistik dhe skandale të shumta me tenderë. Gjendja më e rëndë, sipas tyre, shihet në Shkup, ku në katër vitet e fundit nuk është realizuar asnjë projekt kapital, ndërsa qyteti përballet me transport publik jofunksional, rrugë të papastra, kaos në komunikacion dhe ndërtim të paligjshëm.
 
“Pamja e komunave nën kapelën e VMRO-DPMNE-së është e turpshme: rrugë plot me mbeturina, kaos në komunikacion, asnjë zgjidhje infrastrukturore, asnjë projekt serioz për një jetë më të mirë. Në vend të zhvillimit, pamë vetëm ngecje dhe prapambetje. Kësaj i shtohet lista e gjatë e premtimeve të parealizuara. Programet zgjedhore mbetën vetëm në letër, ndërsa qytetarët morën katër vite të humbura. Shembulli më i madh i kësaj qeverisjeje lokale katastrofale të VMRO-DPMNE-së është pikërisht kryeqyteti Shkup.”, u shpreh Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
 
LSDM konsideron se VMRO-DPMNE, në vend që ta lehtësojnë jetën e qytetarëve, ata e rritën koston e përditshmërisë, duke i lënë qytetarët me detyrime më të larta dhe me komuna më të varfra.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI