Maqedoni
“Lear Corporation” investon në Tetovë, priten deri në 3000 punësime të reja
19.05.2015 16:58
Kompania “Lear Corporation “ nga ShBA si furnizues kryesor për tapiseritë dhe sistemin e shpërndarjes elektrike të automobilave

Kompania “Lear Corporation “ nga ShBA si furnizues kryesor për tapiseritë dhe sistemin e shpërndarjes elektrike të automobilave, këtë verë planifikon hapjen e një fabrike të re në Gostivar, ku parashikohet punësimi fillimisht i 300 personave, por ky numër do të shtohet ndjeshëm në të ardhmen.
Për më tepër pritet ky numër të shtohet kur shumë shpejt kjo kompani të hapë fabrikën e saj edhe në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë.
“Kjo kompani do të fillojë aktivitetin e saj të investimeve në Gostivar derisa të bëhet ndërtimi i fabrikës së re në suaza të Zonës së Lirë Ekonomike në Tetovë. Në këtë periudhë do të shfrytëzohet në mënyrë efikase koha për trajnimin e punëtorëve, që fillimisht do të jenë 300 në Gostivar, dhe presim që në pranverën e vitit 2016, më së voni deri në mars, të bartet procesi i prodhimit dhe punëtorët në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë, dhe do të kemi edhe rritjen e numrit të përgjithshëm të punëtoreve, që pritet të arrijë nga 2500- 3000 punëtorë”- deklaroi Arben Halili nga Zona e Lirë Ekonomike në Tetovë.
“Lear Corporation” është një nga furnizuesit kryesor në botë të shtrojeve të automobilave dhe sistemeve të shpërndarjes elektrike. Në fabrikat e kompanisë janë të punësuar 132 mijë punëtorë në 34 vende të botës. Ky numër pritet të shtohet edhe më shumë me hapjen e kapaciteteve të reja të fabrikës në Zonën e Lirë Ekonomike të Tetovës.
VISAR SADIKI
