Maqedoni

KSHZ: Deri me 11 shtator lista zgjedhore në shqyrtim

23.08.2025 16:06

Prej sot ka filluar shqyrtimi publik i listës zgjedhore, i cili do të zgjasë deri më 11 shtator....

Prej sot ka filluar shqyrtimi publik i listës zgjedhore, i cili do të zgjasë deri më 11 shtator. Shqyrtimi bëhet nëpërmjet portalit online ndërsa kontroll do të mund të bëjnë edhe në departamentet rajonale të KSHZ-së. Secili qytetar mund të kontrollojë nëse është pjesë e listës zgjedhore duke vendosur numrin amë. Sistemi nxjerr informacione precize për objektin ku është i regjistruar qytetari për votim, numrin e vendvotimit dhe të tjera. KSHZ u bëri thirrje qytetarëve të kontrollojnë veten në listë me qëllim që të korrigjohen informacionet e pasakta. 
 
Qytetarët mund të dorëzojnë kërkesë për regjistrim, plotësim ose fshirje të të dhënave në certifikatat e Listës zgjedhore, në zyrat rajonale të KSHZ-së, zyrat lokale ose me email. Kërkesat duhet të shoqërohen me dokumentacionin e nevojshëm. KSHZ-ja duhet të vendosë mbi çdo kërkesë brenda 24 orëve. Kundër refuzimit, qytetari mund të apelojë në Gjykatën Administrative.
 
“Nëse konstatohet ndonjë gabim, plotësohet kërkesë në KSHZ, paraqiten dëshmi dhe ne atë e përpunojmë në mënyrë elektronike. Këto të dhëna i fusim në formularë special dhe e dorëzojmë në Entin Shtetëror të Statistikave.”, thonë nga departamenti rajonal i KSHZ-së në Qendër.
 
Pas çdo dite pune, departamentet rajonale do t’i dorëzojnë KSHZ-së të dhënat për evidencat ditore, të cilat do të publikohen të nesërmen për transparencë, duke treguar sa qytetarë kanë shqyrtuar listën nëpër komuna dhe departamente rajonale. Pas përfundimit të shqyrtimit publik, KSHZ-ja mbyll Listën Zgjedhore brenda 15 ditëve, deri më 26 shtator, dhe e nënshkruan Listën përfundimtare të zgjedhësve, përkatësisht ekstraktet mbi të cilat zhvillohet votimi, jo më vonë se 3 tetor.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI