Botë
Lufta në Gaza, 19 të vrarë brenda natës
23.08.2025 16:56
19 palestinezë raportohet se janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza gjatë mbrëmjes së kaluar....

19 palestinezë raportohet se janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza gjatë mbrëmjes së kaluar. Sipas burimeve mjekësore brenda enklavës, dy persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi në kampin e refugjatëve Maghazi në Gazën qendrore. Një burim mjekësor në Spitalin Nasser tha se 17 palestinezë, përfshirë gjashtë fëmijë, u vranë gjithashtu gjatë një sulmi në zonën Asdaa në Gazën jugore.
“Vrasja e fëmijëve është e ndaluar. Ata janë të pafajshëm që të vriten. Ftojmë vendet arabe të qëndrojnë me ne. Gaza është shkatërruar plotësisht. Disa humbën shtëpitë, të tjerë humbën fëmijët e tyre apo të afërmit.”, u shpreh një banore e Gazës.
Ndërkohë, imazhe të publikuara këtë mëngjes tregojnë re tymi që ngrihen mbi qytetin e Gazës pas sulmeve. Banorët ankohen se nuk ndjehen fare të sigurt.
“Okupatori izraelit thotë se ka zona humanitare, por I gjith rripi I Gazës është i bombarduar në çdo sekondë dhe minutë si në jug, në veri dhe në çdo vend tjetër. Në rripin e Gazës nuk ka vend të sigurt.” u shpreh një banor i Gazës.
Tanimë numri i përgjithshëm i viktimave palestinezë në Gaza nga lufta gjenocidale izraelite prek shifrën 62.622. Bashkëshortja e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, Emine Erdogan, i ka dërguar një letër Zonjës së Parë të SHBA-ve, Melania Trump, duke e ftuar të tregojë të njëjtën ndjeshmëri që ka shfaqur për luftën në Ukrainë edhe për krizën humanitare në Gaza. Emine Erdogan i kërkon Melania Trump të dërgojë një letër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, me një thirrje të fortë për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gaza.
MERAL ISMAILI
