Familjarët e të arrestuarve nga Kosova takojnë të afërmit në burgun e Shutkës

19.05.2015 17:24

Familjarët e të arrestuarve në rastin e Kumanovës me orë të tëra sot pritën para burgut të Shutkës për t’i takuar të afërmit e tyre...

Shumë prej tyre nuk e dinin gjendjen e të afërmve të tyre dhe gjatë gjithë kohës luteshin që të afërmit e tyre të jenë gjallë. Babai dhe nëna e të arrestuarit, Lirim Krasniqit, posa dolën nga burgu i Shutkës, ku u takuan për herë të parë me djalin e tyre pas një kohe të gjatë, thanë se djali u tha se ishte mirë, por ata nuk mundën ta shihnin mirë, pasi që i ndante një xham me vrima dhe pamja nuk ishte shumë e qartë.

“Nuk mund ta shihnim mirë, por kryesorja gjallë ishte. Folëm pak prej xhamit. Ishin aty me kontrollin, nuk mundnim të flisnim asgjë”- thanë familjarët e Lirim Krasniqit.

Por, ka shumë prej atyre që ende nuk mund t’i shohin të afërmit e tyre. Një familjar i të arrestuarit, Fejzi Rushitovskit, shprehet se ka 10 ditë që ata nuk dinë fare asgjë për fatin e të arrestuarit.

“Kemi qenë të premten me marrë leje prej gjyqit për ta vizituar të arrestuarin, nuk na kanë dhënë, edhe sot prapë kemi qenë përsëri, nuk na kanë dhënë lejen, na thanë për të premten. Ne sot u sollëm ushqim, por lejohej deri në 5 kilogram, ato i dorëzuam, jemi duke pritur ka 4 orë. Nuk dimë fare asgjë, nuk e dimë as a është i gjallë apo i vdekur”- tha një familjar i Fejzi Rushitovskit.

Familjarët kërkuan prej autoriteteve, por edhe prej partisë politike shqiptare në pushtet që të japë kontribut për të liruar të burgosurit që, sipas tyre, janë të pafajshëm. (Ersan Pajaziti, TVM2)