Maqedoni
VLEN: BDI zhduku diasporën shqiptare në vitin 2021
24.08.2025 14:14
Edhe sot kanë vazhduar përplasjet dhe akuzat mes koalicioneve dhe partive shqiptare sa i përket regjistrimit dhe numrit të këshilltarëve komunal....

Edhe sot kanë vazhduar përplasjet dhe akuzat mes koalicioneve dhe partive shqiptare sa i përket regjistrimit dhe numrit të këshilltarëve komunal. Sipas koalicionit në pushtet VLEN, është BDI ajo që zhduku diasporën shqiptare me regjistrimin e popullsisë në vitin 2021 dhe me këtë u bë vula e turpit kombëtar. Akuzojnë se BDI ishte e fokusuar në tender dhe jo regjistrim serioz.
“Ishte BDI ajo që shkroi, propozoi dhe votoi modelin dhe metodologjinë e regjistrimit që zhvlerësoi numrat, përjashtoi diasporën dhe shkeli përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve. Problemi nuk ra nga qielli, BDI e ndërtoi atë. Ali Ahmeti, Bujar Osmani, Artan Grubi, Ilmi Selami, Blerim Bexheti dhe të tjerët janë krijuesit e problemit të regjistrimit. Ata nga BDI ishin në qeveri dhe votuan Ligjin e Regjistrimit në Parlament. Fshatra të tëra në Maqedoninë perëndimore u regjistruan me jo më shumë se 30 deri në 50% të banorëve të tyre. Gjatë asaj periudhe, askush nga BDI nuk ishte nervoz, i shqetësuar ose që kujdesej.”, thonë nga VLEN.
BDI: VLEN po mbron planin e VMRO-së për këshilltarët
Ndërkohë, sipas BDI-së VLEN po mbron planin e VMRO-së për zvogëlimin e numrit të këshilltarëve shqiptar. Kjo qeveri sipas BDI-së, uli numrin e këshilltarëve në shtator të vitit 2024, ku komunat shqiptare dëmtohen drejtpërdrejtë.
“Qëndrimet e VLEN-it dhe deklarata e kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, se ulja e numrit të këshilltarëve “nuk ka bazë etnike” dhe “komunat me shumicë popullsie maqedonase kanë humbur më shumë këshilltarë sesa komunat ku shqiptarët janë shumicë” është përpjekje e qëllimshme për të minimizuar dhe relativizuar një vendim flagrantisht diskriminues kundër shqiptarëve. Është e qartë për opinionin publik se VLEN luan rolin e preferuar të kryeministrit dhe qeverisë së tij monoetnike, rolin për të relativizuar, mbuluar, justifikuar dhe minimizuar çdo politikë antishqiptare.”, thonë nga BDI.
Çështja e numrit të Këshilltarëve komunal ka nxitur reagime edhe në kampin politik të Aleancës për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit.
FLORIJE BELULI KAMBERI
