Maqedoni

Mekanizmi i Badinterit, Rama: Shtyllë e barazisë ndëretnike

24.08.2025 15:33

Rama vlerëson se Mekanizmi i Badinterit është një nga shtyllat kryesore të stabilitetit dhe baraspeshës ndëretnike në RMV...

Mekanizmi i Badinterit është një nga shtyllat kryesore të stabilitetit dhe baraspeshës ndëretnike në Maqedoninë e Veriut vlerëson për TVM2 analisti politik, Arton Rama. Badinteri konsiderohet si një instrument kushtetues që garanton proceset integruese dhe përfaqësimin e drejtë të të gjitha komuniteteve. Ky mekanizëm, sipas Ramës, i ka dhënë vendit tonë një profil të qartë evropian, sepse mbështetet mbi frymën e demokracisë konsensuale dhe ndërtimin e shtetit multietnik. Prandaj, çdo tentim për ta relativizuar apo minimizuar rolin e tij shihet si hap i gabuar për progresin e vendit, konsideron Rama. 
 
“Për RMV-në është kryesisht opsionale momentalisht të jetë sa më strukturale në frymën evropiane, sepse Evropa sidomos me konceptin e badinterit i ka dhënë një qasje pro perendimore vendit tonë sepse në frymën e pluralizmit demokratik sa më i përfaqësuar të jetë zëri i shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve aq më reale dhe më frymëdhënëse , më efektive dhe pragmatike do të jenë ligjet. Ligjet e ndërtojnë shtetin.”, u shpreh për TVM2 analisti politik, Arton Rama.
 
Rama thekson se Badinteri nuk është vetëm një arritje e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera, por një sukses i përbashkët i të gjithë spektrit politik, që i dha vendit një model të qëndrueshëm ndërshtetëror. Ky mekanizëm është themeli mbi të cilin ndërtohet dialogu dhe bashkëjetesa.
 
“Ligji i badinterit është themeli bazik i qëndrueshmërisë  shtetërore i cili i ka dhënë një lloj epiteti real tërë shtetit multietnik të RMV-së dhe mendoj se këtu është vija e kuqe e cila nuk ka as mekanizëm, as vullnet, as element e as logjikë apo racionalitet për tu realizuar. Prandaj, kjo është një arritje jo vetëm e popullit shqiptarë dhe pakicave të tjera por edhe e  arritje e gjithë spektrit elitar politik në atë kohë por edhe sot e cila  mundet të aprovojë ligje të cilat kanë të bëjnë me një frymë reale ndërshtetërore.”, u shpreh Rama.
 
Për këtë arsye, sipas Ramës, respektimi dhe forcimi i Badinterit mbetet domosdoshmëri për të siguruar stabilitet afatgjatë dhe ligje më efektive e më gjithëpërfshirëse. Deklarimi i fundit i Ministrit të drejtësisë Igor Fillkov, ku sugjeron rishikim të mekanizmit për shkak të bllokimit të ligjeve në Kuvend, shkaktoi reagime nga përfaqësuesit shqiptarë të cilët këtë e shohin si kërcënim për të drejtën kushtetuese të përfaqësimit të barabartë.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI