Botë

Ndërtesa 16 katëshe përfshihet nga flakët, mbi 15 të vdekur dhe 63 të lënduar

19.05.2015 17:41

Së paku 15 persona e kanë humbur jetën në një zjarr që e ka përfshirë një ndërtesë banimi prej 16 katesh në kryeqytetin e Azerbajxhanit...

Ministria e Shëndetësisë i ka thënë Radios “Evropa e Lirë” se 63 persona të tjerë janë lënduar prej zjarrit që u përhap sot në qarkun Binaqadi të Bakus. 
 
Ministri i Brendshëm, Ramil Usubov dhe prokurori i përgjithshëm, Zakir Qaralov, kanë dalë në vendin e ngjarjes.
 
Qaralov iu ka thënë gazetarëve se një ekip që përbëhet prej përfaqësuesve të Ministrisë së Emergjencave, asaj të Brendshme dhe Zyrës së Prokurorit do ta hetojnë shkaktarin e zjarrit.
 
Ai ka shtuar se hetimi paraprak tregon se zjarri është shkaktuar nga “kualiteti i dobët” i mbulesës së jashtme të ndërtesës. Nuk janë dhënë detaje të tjera.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU