Maqedoni

Situata me zjarret, QMK: Një zjarr aktiv, dy nën kontroll

25.08.2025 13:13

Edhe pse shumica e zjarreve janë shuar, situata me zjarret në vend mbetet nën kontrollin e institucioneve përgjegjëse për shuarjen e tyre...

Edhe pse shumica e zjarreve janë shuar, situata me zjarret në vend mbetet nën kontrollin e institucioneve përgjegjëse për shuarjen e tyre. Në 24 orët e fundit janë regjistruar gjithsej 27 zjarre në hapësira të hapura. Nga këto, një vatër është ende aktive, dy ndodhen nën kontroll, ndërsa 24 janë shuar plotësisht. Zjarret kanë prekur pyje të përziera, bar të thatë, deponi, vegjetacion dhe plehra.
 
Sipas të dhënave të Qendrës për Menaxhim me Kriza, zjarri aktiv ndodhet në komunën e Dollnenit, fshati Dolgaec, ku po digjet pyll i përzier. Dy vatrat që janë nën kontroll gjenden në komunën e Brodit, zona multifunksionale “Jasen” dhe në malin Kozhuf në komunën e Gjevgjelisë. 
 
Shumica e zjarreve të shuara kanë ndodhur në zona me bar të thatë, deponi dhe pyje, përfshirë Shuto Orizaren, Gjorçe Petrovin, Butelin, Sarajin, Prilepin, Velesin, Strugën dhe Kumanovën.
 
Ulja e temperaturave padyshim se ka ndihmuar në lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve, por pavarësisht kësaj, autoritetet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar dhe në qoftë se vërejnë zjarre menjëherë t'i denoncojnë ato.
 
ABIBE QAILI