Maqedoni

Dy seanca plenare deri në zgjedhje, Gashi propozoi deklaratë për zgjedhje korrekte

25.08.2025 14:22

Kryeparlamentari Afrim Gashi u propozoi koordinatorëve të partive politike deklaratë për zgjedhje fer dhe demokratike....

Kryeparlamentari Afrim Gashi u propozoi koordinatorëve të partive politike deklaratë për zgjedhje fer dhe demokratike. Kështu u shpreh Gashi në takimin e rregullt me gazetarët pas përfundimit të pushimeve verore të Kuvendit. Këtë javë parashikohen të mbahen vetëm tre seanca të komisioneve për çështje ekonomike, për sistem politik dhe seancë e komisionit për transport, ndërsa më 2 dhe 12 shtator në Kuvend priten të mbahen dy seanca plenare me pyetje të deputetëve nga opozita dhe të vendoset në rend dite deklarata e dorëzuar e Gashit për zgjedhje korrekte dhe demokratike, ku pritet që e njëjta edhe të votohet nga të zgjedhurit e popullit. I pyetur nëse ka dijeni për ndonjë bashkëpunim apo skenare të fshehta midis LSDM-së dhe BDI-së për zgjedhjet lokale të tetorit, Gashi tha se nuk posedon informacione të tilla, por pranoi se ka indikacione për një gjë të tillë. E pikërisht kjo ishte arsyeja pse Gashi ua dorëzoi koordinatorëve deklaratën për fer dhe zgjedhje demokratike.
 
Për shkak të afateve kohore, vështirë se deri para zgjedhjeve do të votohen edhe ndryshimet dhe plotësimet të ligjit për vetëqeverisje lokale, pasi që deri në këto momente ende nuk është arritur konsensus politik për këtë çështje, tha Gashi.
 
Gjatë fushatës zgjedhore në Kuvend nuk do të mbahen seanca pleanre, ndërsa deklarata e dorëzuar nga kryetari i Kuvendit për zgjedhje të ndershme dhe demokratike është e para e këtij llojit që bëhet në Kuvend, pasi që zakonisht një deklaratë e tillë në të kaluarën nënshkruhet nga pjesëmarrësit në zgjedhje në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. 
 
REXHEP QAMILI