Maqedoni

“Skandali” me operacionet e dyshimta, Ministri i Shëndetësisë takon Kedevin, po verifikohen pretendimet

25.08.2025 14:41

Ministria e Shëndetësisë po verifikon pretendimet për ndërhyrje të panevojshme kardiokirurgjikale në spitale private...

Ministria e Shëndetësisë po verifikon pretendimet për ndërhyrje të panevojshme kardiokirurgjikale në spitale private, dyshime këto që u ngritën nga kardiologu Sasho Kedev, e që sipas tij, kanë për qëllim profit më të madh. Për të diskutuar dhe këmbyer nga afër informacionet për pretendimet e publikuara, Ministri Shëndetësisë, Azir Aliu, ka realizuar takim me kardiologun, Sashko Kedev.
 
Në njoftimin e shkurtë nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë dhënë detaje nga takimi, por njoftuam për një reformë, e cila parasheh se që nga data 15 shtator, të gjitha institucionet private shëndetësore do të jenë të obliguara ta njoftojnë ministrinë, përkatësisht Drejtorinë për Shëndetësi Elektronike, për të gjitha kontrollet dhe ndërhyrjet e kryera. Për këtë risi pritet që ditëve në vazhdim nga resori i shëndetësisë të shpjegojnë për opinionin domethënien e saj dhe sqarimet që duhet t’i dinë pacientët.
 
Ministria e Shëndetësisë: Të paraqiten informacionet për parregullsi
 
Me qëllim zbardhjen më të shpejtë të këtyre rasteve nga Ministria e Shëndetësisë kërkojnë bashkëpunim me të gjithë faktorët dhe u bëjnë thirrje palëve të interesuara, që informacionet eventuale t’i paraqesin në institucionet relevante. 
 
"Ministria e Shëndetësisë është e hapur për bashkëpunim me të gjithë aktorët dhe i fton të gjitha palët e interesuara që disponojnë me çfarëdo informacioni për parregullsi të mundshme në sistem, menjëherë të drejtohen tek institucioni. Transparenca është një nga shtyllat kryesore në punën tonë dhe një parakusht thelbësor për përmirësimin e proceseve në sistemin shëndetësor.", njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
 
Kedevi në pretendimet e tij nuk ka përmendur ndonjë emër të klinikave private, gjë që kishte nxitur reagime dhe kërcënim për padi për shpifje nga Spitali privat "Sistina". Por, kjo sipas Kedevit do të jetë një mundësi që përfundimisht të kuptohet se çfarë po ndodh në shëndetësinë private. Sa i përket grupit të ekspertëve që duhet të kryejnë mbikëqyrje profesionale në klinikat private, nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se lista po kompletohet dhe pritet që së shpejti të dalë lista përfundimtare e 3 ekspertëve që do të kontrollojnë pretendimet e Kedevit. Tani për tani është e njohur se njëri ekspert do të jetë nga Sllovenia, një nga Italia dhe tjetri nga Austria apo Gjermania. Sa i përket emrave që do ta përbëjnë këtë grup, akoma po kalkulohet.
 
FLORIJE KAMBERI