Maqedoni
Akuza mes partive për shpërdorim të pushtetit, BDI: Pranoni vetingun, zbardhet e vërteta
25.08.2025 15:00
Bashkimi Demkoratik për Integrim i përgjigjet kryeministrit Mickoski për akuzat për keqmenaxhim të Qeverisë...

Bashkimi Demkoratik për Integrim i përgjigjet kryeministrit Mickoski për akuzat për keqmenaxhim të Qeverisë, respektivisht, sipas shefit të ekzekutivit, qeverisja e BDI-së është sinonim i krimit dhe korrupsionit. Nga opozita shqiptare ftojnë kryeministrin që ta pranojnë ofertën për veting, në mënyrë që të shpërfaqet ligjërisht prejardhja e pasurisë së politikanëve dhe subjekteve politike. Shtojnë se deklaratat e kryeministrit Mickoski janë shpifje të sërishme dhe tregojnë më shumë hallin e tij sesa për BDI-në.
“Sa për akuzat për krim dhe korrupsion, përgjigjja është e thjeshtë: urdhëroni dhe pranoni propozimin e BDI-së për veting të plotë. Mos mbroni oligarkët dhe mos bllokoni pastrimin e politikës nga krimi. Mos mbroni politikanët e korruptuar, kushdo qofshin ata. Le të ketë hetim për prejardhjen e pasurisë së çdo politikani dhe të çdo partie politike. Le të ketë hetim për procesin e privatizimit. Le të ketë hetim për veprimtarinë e organeve të sigurisë së shtetit dhe për funksionarët në sigurim të shtetit që kanë punuar nga viti 1945 e këtej.”.
VMRO-DPMNE: Ju jeni korrupsioni që po mposhtet
Nga VMRO-DPMNE sërish me reagim. Akuzojnë BDI-në se po shtrembërojnë tezat e tyre, duke shtuar se si parti nuk ka të drejtë të paraqitet si përfaqësuese e vetme e shqiptarëve.
“Vullneti i qytetarëve - maqedonas, shqiptarë dhe të të tjerëve, ka treguar qartë se struktura kriminale e Aliut, Artanit dhe Bujarit i përket shportës të historisë. Kur BDI kapet në krim dhe korrupsion, ky nuk është një sulm ndaj shqiptarëve, por një shpërfytyrim i rrjetit mafioz që përdori hartën etnike si mbulim. Është e qartë: krimi nuk shpërblehet më! Vijon llogaridhënia! Populli zgjodhi ndryshimin dhe barazinë, jo korrupsionin dhe klientelizmin. BDI mund të fshihet pas flamujve etnikë, por nuk do të fshihet nga drejtësia dhe gjykimi i popullit.”.
Nga partia në pushtet thonë se shqiptarët turpërohen nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ndërkaq konsiderojnë se si parti e korruptuar po mposhtet dalëngadalë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
