Maqedoni
Likovë, MMPJH ndan 5 milionë denarë për pastrimin e deponisë
25.08.2025 15:30
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sot nisi aksionin për sanimin e deponisë së egër në fshatin Nikushtak...

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sot nisi aksionin për sanimin e deponisë së egër në fshatin Nikushtak, të komunës së Likovës. Brenda 10 ditëve parashihet që të kryhet pastrimi i tërësishëm si dhe sanimi i së njëjtës. Ky aksion përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet për përmirësimin e mjedisit jetësor dhe për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Likovës dhe të gjithë rajonit, u shpreh para mediave, zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
“Sot fillojmë një aksion të rëndësishëm për sanimin e deponisë së egër në fshatin Nikushtak të komunës së Likovës. Lokacioni Nikushtak është identifikuar si një nga më të rrezikshmit në planin kombëtar për menaxhimin e mbeturinave, për shkak të rreziqeve serioze mjedisore dhe shëndetësore që ai sjell. Shpesh ndodhin zjarre dhe efekte të tjera negative që kërcënojnë shëndetin e popullsisë jo vetëm në Likovë, por edhe në komunat fqinje, siç është Haraçina. Ky aksion është pjesë e përpjekjeve tona konkrete për mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në rajon.”, - deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i MMJPH-së, Izet Mexhiti.
“Ne ishim këtu para 1 viti, them se do ta mbyllim, Izeti, Qeveria, e mbajtëm fjalën dhe kjo faqe e errët e komunës së Likovës nga sot i takon së kaluarës. Deponia po mbyllet, ajo do të pastrohet dhe ky ambient këtu do të rregullohet, do të gjelbërohet në mënyrë që të jet në harmoni me bukuritë natyrore që i kemi për rreth.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Arben Fetai.
Mjetet financiare, si dhe pajisjet mekanike për pastrimin dhe rregullimin e deponisë së egër në Nikushtak të Likovës, janë siguruar nga vetë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e që kapin vlerën rreth 5 milionë denarë.
FATLUM AQIFI
