Rajon

Osmani u bën thirrje partive: Interesi i vendit para dallimeve

25.08.2025 16:07

Osmani sërish ka ftuar partitë politike që t’i lënë mënjanë dallimet dhe të vendosin interesin e vendit para çdo gjëje tjetër...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sërish ka ftuar partitë politike që t’i lënë mënjanë dallimet dhe të vendosin interesin e vendit para çdo gjëje tjetër.
 
“E shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje sërish të gjitha partive politike që të vendosin interesin e vendit para dhe t’i lënë anash dallimet. Duhet të përpiqen të formojnë një koalicion të shumicës parlamentare që do ta çojë Kosovën përpara.”, ka deklaruar Osmani në një intervistë për televizionin polak “TVP VVorld”.
 
Osmani ka theksuar se si pasojë e kësaj bllokade politike, Kosova po humbet projekte të rëndësishme të Bashkimit Evropian dhe mundësi bashkëpunimi me administratën e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të cilat është punuar gjatë.
 
“Shumica e marrëveshjeve duhet të kalojnë në Kuvend për ratifikim dhe në Qeveri për zbatim. Qytetarët e Kosovës meritojnë një qeveri funksionale dhe me kapacitet të plotë.”, ka deklaruar ajo. Sipas saj, Kosova nuk e ka luksin të qëndrojë gjatë pa institucione funksionale.