Botë
Izraeli bombardoi spitalin në Gazë, u vranë edhe 5 gazetarë
25.08.2025 16:25
Agjencia e Gazës për Mbrojtje Civile ka thënë se pesë gazetarë janë në mesin e të paktën 20 personave të vrarë të hënën...

Agjencia e Gazës për Mbrojtje Civile ka thënë se pesë gazetarë janë në mesin e të paktën 20 personave të vrarë të hënën, si pasojë e sulmeve izraelite në një spital në jug të enklavës.
Agjencitë Reuters, Associated Press dhe televizioni Al Jazeera kanë konfirmuar se në mesin e të vrarëve janë gazetarë që kanë kontribuuar për këto mediume.
Zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Basal, ka thënë se “numri ka shkuar në 20 martirë, përfshirë pesë gazetarë dhe një pjesëtar të Mbrojtjes Civile.”, pas sulmeve në spitalin “Naser” në Khan Junis, një kompleks i madh mjekësor në jug që është shënjestruar disa herë nga Izraeli prej nisjes së luftës.
Gazetarja e Associated Press, kameramani i Reuters, gazetari i Al Jazeera dhe fotografi i NBC janë personat në mesin e të vrarëve në këtë sulm izraelit. Ushtria izraelite dhe zyra e kryeministrit nuk kanë komentuar ende. Sulmi vjen dy javë pasi gjashtë gazetarë, përfshirë katër nga Al Jazeera, u vranë në një sulm të synuar izraelit pranë Spitalit “Al-Shifa” në qytetin e Gazës.
Ndërsa luftimet vazhdojnë në vijat e frontit, më shumë se gjysmë milioni njerëz në Gazë përballen me urinë. Duke jetuar në tenda të improvizuara, familjet e zhvendosura përpiqen të gjejnë edhe një sasi të vogël ushqimi pas muajsh urie. Vlerësohet se deri në fund të shtatorit, më shumë se 640.000 njerëz do të përballen me urinë.
“Për shkak të rrethimit dhe urisë, shëndeti i vajzës sime është përkeqësuar. Ajo ka humbur lëndë ushqyese jetësore, sepse nuk ka ushqim të shëndetshëm si perime, fruta apo mish.”, - tha nëna palestineze, Um Jana Ajad.
"Si ne të rriturit ashtu edhe fëmijët po vuajmë. Djali im nuk është mirë, për shkak të mungesës së kalciumit dhe mineraleve në trupin e tij, gjë që shkaktoi infeksione.", - tha palestinezja e zhvendosur, Donia Sabah.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se operacionet ushtarake të intensifikuara dhe kufizimet e vazhdueshme në aksesin ndaj ndihmës humanitare mund ta përkeqësojnë më tej krizën. Kërkohet një armëpushim i menjëhershëm. Rrjeti i OJQ-së palestineze paralajmëron se bllokada e vazhdueshme e Izraelit dhe operacionet ushtarake në enklavë janë të barasvlershme me një dënim me vdekje për mijëra civilë të zhvendosur që presin ndihmë të pakët.
"U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve ndërkombëtarë që të shpëtojnë jetën e këtyre fëmijëve, të cilët po vdesin urie dhe vuajnë dhe të ndalojnë këtë operacion ushtarak në Gazë.", - deklaroi kreu i një rrjeti palestinez të OJQ-së, Amjad Al-Shaëa.
Ministri i Jashtëm palestinez thotë se pamjet që vijnë nga Gaza po e tmerrojnë botën. Ai beson se Izraeli nuk do të ndalet pa presion të fortë nga bashkësia ndërkombëtare.
"E gjithë bota duhet t'i tregojë Izraelit se ajo që po bën ishte aq brutale sa do të shënohet në librat e historisë si gjenocid par excellence. Njerëzit po përpiqen të qëndrojnë në anën e duhur të historisë, e cila thotë se populli palestinez ka të drejtën për shtetin e tij sovran.", - theksoi ministri i Jashtëm palestinez, Uarsen Aghabekian.
Izraeli, gjithashtu goditi objektiva strategjike në të gjithë kryeqytetin jemenas, Sanaa, në hakmarrje për një sulm me bomba thërrmuese nga Huthit.
"Forcat ajrore kanë sulmuar përsëri objektiva strategjike në Jemen. Ata sulmuan pallatin presidencial në zemër të Sanaas, termocentralin e qytetit dhe rezervuarët e karburantit që e furnizojnë atë. Regjimi terrorist Huthi po e mëson me vështirësi se do të paguajë, dhe po paguan, një çmim shumë të lartë për agresionin e tij kundër Izraelit.", - u shpreh kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.
“Për çdo raketë që lëshojnë drejt Izraelit, Huthit do të paguajnë me interes.”, - u shpreh ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.
Presidenti sirian, Ahmet Al Sharaa, të dielën sinjalizoi përparim në një marrëveshje të mundshme sigurie me Izraelin në një takim me një delegacion të mediave arabe.
FITORE DEMOLLI
