Maqedoni
115-vjetori i lindjes së Shën Terezës, në Shkup promovohen tri vepra të reja
25.08.2025 17:53
Në 115-vjetorin e lindjes së Shën Nënës Terezë, u promovuan tri vepra të reja kushtuar jetës dhe misionit të saj...

Në 115-vjetorin e lindjes së Shën Nënës Terezë, në Shkup u promovuan tri vepra të reja kushtuar jetës dhe misionit të saj: “Porositë e Shën Nënës Terezë për ne“ nga Don Lush Gjergji, “Gonxhja e Shkupit në kurorën e botës” nga Skënder Asani dhe “Me bashkudhëtarët e Nënës Terezë - Nga misioni në shenjtëri” me autorë Skënder Asanin dhe Albert Ramajn. Në to ka të dhëna të ditura dhe të reja, që pasqyrojnë më së miri figurën e shenjtores shqiptare.
“Janë shkrime që lidhen kryesisht me tema e përmbajtje me Shkupin dhe rrezatimin e figurës së madhe të Shën Terezës si misionare e shenjtore.”, - theksoi publicisti, Emin Azemi.
“Nëna jonë Terezë është e pashtershme në kuptimin e mesazheve, trashëgimisë e porosisë që ka lënë që si bijtë e saj shpirtërorë duam t’i mishërojmë në jetën e përditshme.”, - u shpreh Albert Ramaj.
“Nënë Tereza, shenjtorja që simbolizon jo vetëm mirënjohjen e njerëzve në nevojë, por edhe vlerat që atribuoi në nivel ndërkombëtar për të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje e ngrohtësi shpirtërore.”, - deklaroi zëvendësambasadorja e Shqipërisë në RMV, Elda Bakiu.
Këto tre botime nuk janë vetëm libra, por janë gurthemeli i kujtesës sonë kombëtare e shpirtërore, thotë autori i dy veprave, historiani Skënder Asani.
“Njëri na tregon se si Gonxhja e Shkupit u bë kurora e njerëzimit, tjetri se nuk ishte vetëm po kishte bashkudhëtarë që ndan me të sakrificën, dhimbjen dhe shpresën, i treti na sjell zërin e saj të gjallë mes porosive që mbeten udhërrëfyes për jetën tonë.”, - theksoi historiani, Skënder Asani.
Dhe porositë e saj i përshkruan më së miri vetë biografi i Nënës Terezë, dom Lush Gjergji.
“Që të jemi të lumtur nuk na duhet të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme, por ta kemi mendjen e ndritur e zemrën e hapur.”, - u shpreh autori, Dom Lush Gjergji.
Shën Tereza nuk jetoi për tituj edhe pse ka mbi 100 të tillë, ndër to edhe çmimin Nobel për Paqe. Vepra e saj ishte ajo që na frymëzon dhe këto tre botime janë edhe një përkujtim se çfarë i dha Shkupit dhe shqiptarët botës, shenjtoren që u bë dritë për më të varfrit.
ABIBE QAILI
