Maqedoni

Ndahet çmimi shtetëror, “Nënë Tereza”, fitues, doktor Ahmeti dhe humanisti Stamenov

26.08.2025 13:46

Doktor Irfan Ahmeti dhe aktivisti Borçe Stamenov janë fituesit e çmimit shtetëror “Nënë Tereza” për vitin 2025....

Doktor Irfan Ahmeti nga Klinika Universitare e Endokrinologjisë dhe Borçe Stamenov, aktivist për digjitalizim inkluziv dhe iniciator i nismës “Dhuro kompjuterë” janë fituesit e çmimit shtetëror “Nënë Tereza” për vitin 2025. Duke u falënderuar në emër të të dy fituesve, doktor Ahmeti tha se humanizmi i bashkon profesionet e ndryshme në urën që ndërtohet nga mirësia, duke siguruar se në misionin njerëzor nuk do të ndalen, para së gjithash, në aktivitetet që thirrin në mirësi dhe vlera.
 
“Absolutisht jam mirënjohës, por kjo na detyron edhe më tepër të jemi human. Ashtu siç thatë, unë jam i kyçur edhe në arsim, në shkencë, kështu që puna jonë është punë e profesionit, arsimit dhe shkencës, të tria shkojnë bashkërisht dhe gjithsesi kontributin e jap paralelisht në të tria fushat për përmirësimin e shoqërisë.”, - deklaroi endokrinologu, Irfan Ahmeti.
 
Mexhiti: Humanizmi shqiptar njihet nga Nënë Tereza
 
Pikërisht në ditën e lindjes së Nënë Terezës, 26 gusht, në shtëpinë e saj në Shkup nuk mungoi edhe vizita nga ana e delegacionit qeveritar. Humanizmi i kryeqytetit njihet pikërisht nga mirësia e Nënë Terezës, tha zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, duke sjellë mesazhin e Bojaxhiut se dallimet nuk lënë përshtypje nëse tek njeriu triumfon njerëzia.
 
“Ndërtojmë ardhmëri në të cilën Shkupi sërish do të njihet në mbarë botën si qendër e kulturës së lartë, arsimit të zhvilluar, qendrës shkencore dhe teknologjike me perspektivë për të rinj dhe humanizëm.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti. 
 
Ditëlindja e Nënë Terezës në vend po shënohet me ngjarje dhe aktivitete të ndryshme, me qëllim të nderimit të kësaj figure botërore shqiptare.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU