Maqedoni

Banka Popullore dhe Kadastra ofrojnë mbështetje për blerjen e banesës së parë

26.08.2025 14:01

Drejtori i Agjencisë së Kadastrës dhe guvernatori i Bankës Popullore njoftuan masa të reja për lehtësim të kreditimit të banesave....

Drejtori i Agjencisë së Kadastrës, Ivan Zhivkovski, dhe guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllavevski, njoftuan masa të reja për lehtësim të kreditimit të banesave. Sllavevski njoftoi se po përgatiten masa për të lehtësuar kreditimin e banesave, veçanërisht për të rinjtë dhe çiftet që blejnë për herë të parë shtëpinë e tyre, duke u dhënë më shumë lehtësi se qytetarëve të tjerë që blejnë banesa si investim. 
 
“Kjo që po ndodh në tregun e banesave në Republikën e Maqedonisë në disa qytete, veçanërisht në Shkup, i vë në kushte të papërshtatshme çiftet e reja e të rinjtë, sepse çmimet janë shumë të larta në krahasim me të ardhurat. Ne nuk duam që kjo të vazhdojë kështu dhe si Bankë Popullore kemi instrumente për ta arritur këtë qëllim.”, - deklaroi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllavevski.
 
Zhivkovski paralajmëroi rikthimin e Regjistrit të Çmimeve dhe Qiramarrjeve, një mjet i rëndësishëm për të ndjekur trendet e tregut të patundshmërive.
 
“E dimë që në periudhën e kaluar, në vitet e kaluara, ndodhi një rritje e madhe e çmimeve të patundshmërive dhe duhet të gjejmë bashkë mënyrën për relaksimin e çmimeve.”, - theksoi drejtori i Agjencisë së Kadastrës, Ivan Zhivkovski.
 
Të dy palët ranë dakord se diferencimi i kredive për blerjen e banesës së parë nga ato për investime, si dhe forcimi i bashkëpunimit institucional, do të krijojnë kushte për mbështetjen e qytetarëve në zgjidhjen e çështjes së strehimit dhe do të ndikojnë në stabilizimin e çmimeve në tregun e pasurive të patundshme.
 
ABIBE QAILI