Rajon

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, kryeparlamentar i ri

26.08.2025 14:14

Kuvendi i Kosovës zgjodhi kryeparlamentarin e ri...

Kuvendi i Kosovës zgjodhi kryeparlamentarin e ri. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh  kryetar i Kuvendit të Kosovës. Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit, si dhe formimit të Qeverisë së re. Basha i mori 73 vota “për”, 30 “kundër”, ndërsa tre deputetë abstenuan. Ai arriti që t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjese të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe një pjese të pakicave. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lista Serbe votuan kundër. Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit e votuan kryetarin e Kuvendit në përpjekjen e 58-të të tyre.
 
Në fjalimin e tij të parë pasi u zgjodh në krye të organit ligjvënës, Basha foli për përgjegjësinë që ndien, rëndësinë e Kuvendit dhe u bëri thirrje deputetëve për bashkëpunim. Ai shtoi se mbrojtja e Kosovës duhet të jetë detyrë e të gjithëve, pushtetit dhe opozitës, pavarësisht se ai pret dallime të mëdha mes partive, sepse “jetojmë në një demokraci”.
 
“Ju bëj thirrje për bashkëpunim. Është koha të dëshmojmë se pavarësisht dallimeve politike, ne e kemi guximin dhe mençurinë për të punuar së bashku për interesin më të lartë për vendin tonë.”, - deklaroi kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.  
 
Ai gjithashtu i bëri thirrje Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Basha u zgjodh pas disa dështimesh pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht, i cili i urdhëron deputetët ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor. Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u votuan në pako për pozitat e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.
 
Epilogu i sotëm  pason pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Kuvendi  konsiderohet i konstituuar  pas votimit  të udhëheqësisë  së re të Kuvendit, përveç kryeparlamentarit edhe të nënkryetarëve të Kuvendit, me ç’rast më pas i hapet rruga formimit të Qeverisë. 
 
MERITA GASHI