Rajon

Opozita në Kosovë përçahet për zgjedhjen e Bashës, PDK votoi pro: Votuam për zhbllokim

26.08.2025 14:47

Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit kanë pasuar reagime....

Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit kanë pasuar reagime.  Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se partia e tij votoi për të zhbllokuar situatën e konstituimit të Kuvendit. Ai tha se nuk beson që as deputetët e Vetëvendosjes janë të lumtur me zgjedhjen e Dimal Bashës për kryeparlamentar, por se kjo ishte zgjedhja e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
 
“Në një situatë normale, në një botë paralele, asnjëherë nuk do të votonim dikë si Dimal Basha në krye të Kuvendit. Por, sot kemi votuar për të zhbllokuar situatën. As votuesit e VV-së nuk janë të lumtur me zgjedhjen për kryetar të Kuvendit. PDK-ja ka kërkuar zhbllokim të imponuar nga VV-ja qysh nga dita e parë. Kemi thënë për ta zhbllokuar gjendjen dhe për t'i qëndruar besnik fjalës së dhënë publike, sepse për PDK-në kjo është e rëndësishme.”, - deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
 
LDK-ja votoi kundër: Zgjedhja e tij, gabim i pafalshëm
 
Ndërkohë, LDK-ja ka votuar kundër zgjedhjes së Dimal Bashës kryekuvendar. Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur këtë fitore të injorancës.
 
“Kosova, siç nuk e kishim menduar asnjëherë. Një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj. Gjithsesi ky është niveli i tyre. Kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera kanë zgjedhur të nderojnë edhe votuesit e popullin e Kosovës. LDK-ja aspiron më lart. Kosova duhet të aspirojë lart. Aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcejnë. Dritë një ditë do të ketë!”, ka shkruar në Fejsbuk, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku. 
 
Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është deklaruar pas zgjedhjes së kryeparlamentarit, Dimal Basha. Ai tha se duhet të ketë shpjegim para qytetarëve të Kosovës se “pse është vonuar vendi tash e sa muaj për të ardhur deri këtu”.
 
“Unë së pari pres një shpjegim pse e kanë vonuar vendin deri më tani sa muaj. Shpresoj që do ta kenë një shpjegim para qytetarëve të Kosovës, pse është vonuar vendi tash e sa muaj për të ardhur këtu ku jemi sot.”, - theksoi kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. 
 
Nga AAK-ja, edhe pse para votimit nuk ishin të prerë, ata kanë votuar Dimal Bashën për kryeparlamentar.
 
“Ne i kemi dhënë një shans dhe duhet me këtë mundësi që ai të dëshmojë seriozitetin e tij.”, - u shpreh deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.
 
Gashi dhe Spiropali urojnë përzgjedhjen e Bashës
 
Ndërkohë nuk kanë munguar urimet si nga vendi ashtu edhe nga rajoni. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në një postim në rrjetet sociale thotë se nën udhëheqjen e Dimal Bashës do të vazhdojnë marrëdhëniet e mira mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
 
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë të përcjell urimet më të përzemërta z. Dimal Bashës për zgjedhjen si kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe institucioneve tona janë të mbështetura në themele të forta miqësie, vëllazërie dhe bashkëpunimi të ndërsjellë.”, ka shkruar kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.
 
Nuk ka munguar edhe urimi i kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila i përgëzoi deputetët e Kosovës për, siç u shpreh ajo, hapjen e rrugës drejt ndërtimit të institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve.
 
“Urime e suksese kryetarit të ri të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha! Përgëzime Kuvendit të Kosovës për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve. Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të të dy vendeve tona dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon.”, ka shkruar kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali. 
 
Ndryshe, Dimal Basha sot u votua kryetar i Kuvendit të Kosovës me 73 vota “për” pas plot gjashtë muajve bllokadë në institucionin ligjvënës në Kosovë.
 
ARMEND MURSELI