Maqedoni

Akuza për organizimin e Samitit të OSBE-së, VLEN: PThP-ja të hetojë dyshimet

26.08.2025 15:08

Koalicioni VLEN kërkon nga PThP-jatë veprojë ndaj raportit negativ të revizionit për Bujar Osmanin...

Koalicioni VLEN kërkon nga Prokuroria Themelore Publike të veprojë ndaj raportit negativ të revizionit për Bujar Osmanin për organizimin e Samitit të OSBE-së në Shkup. Duke u thirrur në raportin e EShR-së, ata dyshojnë se Osmani ka shpenzuar rreth 2 milionë euro për këtë Samit, pa pasur dokumentacionin dhe evidencën e duhur të mallrave, që sipas VLEN-it kjo është keqpërdorim klasik i mjeteve publike. Kërkojnë hetim urgjent dhe përgjegjësi për këtë. 
 
“Revizorët kanë konstatuar se mbi 120 milionë denarë janë shpenzuar për Samitin e OSBE-së pa dokumentacion dhe pa evidencë, kjo ngre dyshime serioze për keqpërdorim të parave publike. Nuk ka dëshmi se ku janë shpenzuar këto mjete dhe PThP-ja patjetër të hetojë.”, - deklaroi Granit Osmani nga VLEN.
 
Në ndërkohë zëvendëskryeministri  Izet Mexhiti tha se Osmani vetëm për një ditë për sigurimin e automjeteve me qira ka shpenzuar rreth 1 milion euro.
 
“Nuk është asgjë e re. Z. Osmani kur ka qenë ka keqpërdorur dhe si ministër i Shëndetësisë mori epitete me “Pacienti” edhe si ministër i Punëve të Jashtme, bile mund të jetë një pyetje për shpërblim, se si mund të shpenzohen 1 milion euro për një ditë për vetura me qira në një Maqedoni kaq të vogël. Atë llogari mund ta bëjë vetëm z. Osmani.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
 
Osmani: VLEN-i shpif, nuk ka pasur raport nga EShR-ja
 
Bujar Osmani hedh poshtë këto akuza duke thënë se VLEN-i qëllimisht po shpif pasi që është e frikësuar nga anketat e fundit. Thotë se nuk ka abuzuar me mjetet publike dhe se Samiti i OSBE-së në Shkup është organizuar në mënyrë ligjore, transparente dhe konform të gjitha standardeve të kërkuara ndërkombëtare. Hedh poshtë se ndonjëherë ka pasur raport negativ për këtë çështje nga EShR-ja.
 
“Dje kam pranuar një anketë serioze dhe kredibile ku dallimi mes meje dhe kundër kandidatit tim është rreth 10 % dhe nuk ka komunë në RMV ku dallimi është rreth 10% dhe në panik ata dëshirojnë tani të gjejnë dhe shpifin, me qëllim që të thonë nuk jemi vetëm ne të korruptuar, por ja edhe kundërkandidati është i korruptuar. E para nuk ka pasur asnjëherë revizion për OSBE-në. Ajo është një shpifje e kulluar, asnjëherë nuk është konstatuar parregullsi. Unë vetë para se të mbahet Samiti, për shkak mysafirëve që vinin i kam dorëzuar dhe ftuar në KShPK në Prokurori, që vetë t’i kontrollojnë dhe të dyja institucionet kanë dalë me konstatime të shkruara se nuk ka asnjë parregullsi në këtë proces.”, - theksoi Bujar Osmani nga BDI.
 
Për akuzat për abuzime të supozuara gjatë organizimit të Këshillit Ministror të OSBE-së të mbajtur në Shkup, vitin e kaluar pas përfundimit të procedurave të hapura, KShPK-ja dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion konkluduan se e gjithë procedura për zgjedhjen e një kompanie për adaptimin e Sallës Sportive “Boris Trajkovski” është kryer në përputhje me ligjet, duke respektuar standardet më të larta të vlerësimit të drejtë, pa pasur elemente korrupsioni dhe se është organizuar konform standardeve ndërkombëtare të kërkuara paraprakisht për organizim të kësaj ngjarjeje.
 
REXHEP QAMILI