Botë

Sulmet në Gazë, Trampi premton fund të konfliktit

26.08.2025 15:51

Presidenti amerikan, Donald Tramp, ka deklaruar se lufta në Rripin e Gazës pritet të përfundojë brenda pak javësh....

Presidenti amerikan, Donald Tramp, ka deklaruar se lufta në Rripin e Gazës pritet të përfundojë brenda pak javësh. Ai tha se Shtetet e Bashkuara në bashkëpunim me Izraelin, po vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi grupin militant Hamas për lirimin e pengjeve të mbetura dhe për t’u siguruar ushqim dhe ndihmë palestinezëve.
 
“Kohët e fundit kemi dërguar atje ushqime me vlerë 60 milionë dollarë. Ndoshta shumë njerëz as nuk e dinë këtë. Ne kemi rezerva të mëdha ushqimore dhe po dërgojmë ndihma në Gazë për të ushqyer mijëra persona. Besoj se në dy ose tre javët e ardhshme do të kemi një fund mjaft pozitiv dhe bindës. Natyrisht është e vështirë të parashikohet, pasi ky rajon ka qenë vatër konfliktesh për mijëra vjet.”, - deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp. 
 
Ndërkohë, shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë ka reaguar ndaj një sulmi izraelit mbi një spital në Gazë, ku humbën jetën 20 persona, përfshirë punonjësit e shpëtimit që përpiqeshin të evakuonin të plagosurit dhe pesë gazetarë. Izraeli gjithashtu ka shprehur keqardhje për viktimat.
 
“Jemi në dijeni të raporteve se civilë, përfshirë gazetarë, janë goditur. Dua të jem i qartë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk synojnë civilët. Çdo incident i tillë shqyrtohet nga mekanizmat përkatëse. Ne veprojmë në një realitet tepër kompleks, ku Hamasi përdor qëllimisht infrastrukturën civile, përfshirë spitalet, si mburojë.”, - theksoi zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Efi Defrin.
 
OKB: Vrasjet në Gazë rrezikojnë civilët dhe gazetarët
 
Udhëheqësit botërorë dhe Kombet e Bashkuara kanë dënuar sulmet e fundit dhe kanë kërkuar një hetim të shpejtë dhe të paanshëm mbi vrasjet e civilëve palestinezë. Organizata ka përsëritur thirrjen për lehtësimin e hyrjes së pakufizuar të ndihmës humanitare në Gazë.
 
“Këto vrasje të tmerrshme të fundit nxjerrin në pah rreziqet ekstreme me të cilat përballen personeli mjekësor dhe gazetarët derisa kryejnë punën e tyre në këtë konflikt brutal. Zyra për Koordinimin e Çështjeve Humanitare paralajmëron se sulmet ajrore dhe armiqësitë e vazhdueshme, përfshirë sulmet ndaj kujdesit shëndetësor, po shkaktojnë viktima shtesë dhe po dëmtojnë dhe shkatërrojnë infrastrukturën kritike civile.”, - deklaroi zëdhënësi i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stefan Dujarriq. 
 
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, kishte deklaruar më herët se kabineti i sigurisë kishte dhënë urdhër që ushtria të marrë kontrollin e qytetit të Gazës në muajt e ardhshëm. Netanjahu tha se plani ushtarak mund të ndihmojë në përpjekjet për të liruar pengjet e mbetura, të cilët besohet se mbahen kryesisht në pjesën qendrore të enklavës. Aktualisht besohet se grupi militant ka nën kontroll rreth 50 pengje, nga të cilët vetëm 20 mendohet se janë ende gjallë.
 
ABIBE QAILI