Botë

Konflikti ruso-ukrainas, rritet presioni për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

26.08.2025 16:19

Sulmet midis Kievit dhe Moskës vazhdojnë ndërkohë presioni diplomatik po synon t’i japë fund luftës....

Sulmet midis Kievit dhe Moskës vazhdojnë ndërkohë presioni diplomatik po synon t’i japë fund luftës. Zelenski është takuar me delegacionin nga rrjeti ndërkombëtar parlamentar "të bashkuar për Ukrainën". Udhëheqësit diskutuan garancitë e sigurisë dhe rezultatet e takimeve të fundit në Uashington. Presidenti ukrainas theksoi rëndësinë e njëzëri të bashkuar dhe një qëndrimi të përbashkët evropian. 
 
“Nuk e dimë se cilat do të jenë garancitë e sigurisë, por mund të shpresoj në mbështetjen e Evropës dhe ShBA-së. Shpresojmë që paqja do të vijë sa më shpejt të jetë e mundur, por jo gjithçka varet vetëm nga ne. Në çdo rast, ne duam paqe.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. 
 
Trampi thotë se presidenti rus dhe ukrainas duhet të takohen dhe nëse kjo nuk ndodh, mund të ketë pasoja.
 
“Mendoj se duhet të takohen dhe të bëjnë një marrëveshje. Besoj se do ta përfundojmë këtë luftë. Jam i përqendruar në ndalimin e luftës. Nuk ka pasur një luftë si kjo, që nga lufta e dytë botërore.”, - theksoi president i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp. 
 
Kancelari gjerman, Merc, thotë se Evropa pret që takimi midis presidentit ukrainas dhe rus të mbahet në dy javët e ardhshme.
 
“Ne jemi në pritje që takimi midis Zelenskit dhe Putinit të mbahet brenda dy javëve. Putini e konsideron se është e përshtatshme t'i bashkohet këtij takimi me parakushtet, që nga perspektiva e Ukrainës dhe perspektiva jonë, janë plotësisht të papranueshme.”, - u shpreh kancelari gjerman, Fridrih Merc. 
 
Departamenti i shtetit njoftoi se po vazhdon të koordinojë përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës ruso-ukrainase, përmes një zgjidhjeje afatgjate dhe të pranueshme.
 
ARMEND MURSELI