Maqedoni

Sjelljet josportive në ndeshje, MPB: Nga janari janë regjistruar 75 raste dhune

26.08.2025 16:42

Ministria e Punëve të Brendshme është duke hetuar rastin...

Ministria e Punëve të Brendshme është duke hetuar rastin me fyerjet antishqiptare që kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme në ndeshjen mes Pelisterit dhe Shkupit në Kavadar.
 
Nga Ministria e Punëve të Brendshme për TVM2 informojnë  se nga fillimi i vitit janë regjistruar 75 incidente dhune në garat sportive.
 
“Shumica e shkeljeve janë regjistruar në rajonin e Shkupit-45. Incidentet më të zakonshme përfshijnë hedhjen-djegien e mjeteve piroteknike, këndimin e këngëve dhe përdorimin e fjalëve fyese. Gjatë prishjes së rendit, 15 persona kanë marrë lëndime trupore. Pas marrjes së masave janë regjistruar shtatë vepra penale (tre vepra penale të "dhunës", dy vepra penale të "pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare", një vepër "sulm ndaj personit zyrtar të autorizuar gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë" dhe një vepër "dhunë ndaj fëmijës". Kallëzime penale janë ngritur kundër 11 personave.”.
 
Mexhiti: Secili do të paraqitet para ligjit
 
Të gjithë ata tifozë që nuk i respektojnë rregullat e lojës sportive do të ballafaqohen me ligjin, thotë zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti. Individë që prishin qetësinë shoqërore ka dhe do të ketë, potencon ai, duke shtuar se numri personave të papërgjegjshëm, sidoqoftë është më i vogël se në të kaluarën.
 
“Mendoj se individë të papërgjegjshëm ka pasur dhe do të ketë, të cilët mundohen t’i vënë njollë qeverisjes së re, po kjo nuk është as për së afërmi me incidentet, vrasjet, burgosjet në të kaluarën. Këta individë të papërgjegjshëm nga cila anë do të vijnë do të ballafaqohen me ligjin, ashtu siç u ballafaquan huliganët në Kumanovë dhe gjithkund tjetër.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
 
Kohëve të fundit, dhuna, brohoritjet nacionale dhe sjelljet josportive kanë zënë vend në ndeshjet që janë zhvilluar në qytetet e vendit.  Kujtojmë se incidentet u shpeshtuan që nga ndeshja e parakualifikimit për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua në Kumanovë, ku u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve.
 
Federatat e futbollit vazhdimisht me apel që arenat sportive të mos shndërrohen në fushë për fyerje dhe shfaqje të dhunës. Komisioni për ndeshjet e FFM-së e ka dërguar KF Pelister në Komisionin Disiplinor për procedurë të mëtejshme. Raporti ka të bëjë me brohoritje fyese nga disa tifozë në ndeshjen Pelister - Shkup, të luajtur në kuadër të raundit të 3-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU