Botë

Vazhdojnë sulmet mes Ukrainës dhe Rusisë, Zelenski: Putini shmang negociatat

27.08.2025 11:55

Sulmet e ndërsjella me dronë mes Ukrainës dhe Rusisë po vazhdojnë...

Sulmet e ndërsjella me dronë mes Ukrainës dhe Rusisë po vazhdojnë, ndërkohë që presidenti ukrainas thotë se është i gatshëm për bisedime me Rusinë për përfundimin e luftës, por sipas Zelenskit, Putini ende përpiqet t’i shmangë negociatat.
 
"Nga ana jonë gjithçka do të jetë sa më e përgatitur për t’i dhënë fund luftës. Është e rëndësishme që partnerët ta konfirmojnë këtë. Në të ardhmen, gjithçka do të varet ekskluzivisht nga vullneti i liderëve botërorë, kryesisht nga ShBA-ja për të ushtruar presion ndaj Rusisë.", - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. 
 
Trampi i bën me dije Rusisë për sanksione ekonomike
 
Trampi paralajmëroi se ShBA-ja do të vendosë sanksione ekonomike ndaj Rusisë, nëse ajo refuzon të pranojë armëpushim.
 
"Ne duam që kjo të përfundojë. Ne kemi sanksione ekonomike. Po flas për sanksione ekonomike, sepse nuk do të hyjmë në një luftë botërore. Kjo nuk do të jetë një luftë botërore, por do të jetë një luftë ekonomike. Do të jetë e keqe për Rusinë. Dhe, unë nuk e dua këtë. Zelenski nuk është edhe aq i pafajshëm. Për tango duhen dy veta.", - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Ndërkohë, Rusia ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për shpërthimin e gazsjellësit "Nord Stream" në vitin 2022, pasi në Itali u arrestua një ukrainas. I dyshuari akuzohet se ka qenë një nga koordinatorët e shpërthimeve nënujore që dëmtuan gazsjellësit midis Rusisë dhe Gjermanisë.
 
"Është e rëndësishme jo vetëm për Rusinë, jo vetëm për Gjermaninë, interesat ekonomike të së cilës janë shumë të rrezikuara, por gjithashtu që të shmangen situata të tilla në të ardhmen dhe të mos jepet një shembull i gabuar për terroristët ndërkombëtarë, të cilët mund të frymëzohen nga paaftësia e komunitetit ndërkombëtar për të gjetur përgjegjësit e këtij sulmi terrorist dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë.", - u shpreh zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Dmitri Polianski. 
 
Për shpërthimet në gazsjellësin “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2”, Gjermania, Danimarka dhe Suedia nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një sabotimi. Zyra e prokurorit gjerman ka hapur procedura mbi bazën e terrorizmit ndërkombëtar, por Moska, pavarësisht kërkesave të shumta, nuk ka marrë kurrë informacion mbi incidentin.
 
ARMEND MURSELI