Maqedoni
“Skandali” me operacionet në klinikat private, FSSh: Kemi çmimore të njëjtë për intervenimet
27.08.2025 15:15
Mbi 105 milionë euro nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor kanë përfunduar nëpër klinikat private...

Mbi 105 milionë euro nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor kanë përfunduar nëpër klinikat private për ndërhyrjet e kryera kardiokirugjikale për gjashtë vitet e fundit. Pas akuzave të ngritura të kardiokirurgut, Sashko Kedev, se një pjesë e madhe e intervenimeve kirurgjikale nëpër klinikat private janë kryer pa pasur nevojë për të, autoritetet e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, detajisht shpjeguan modelin dhe metodën e financimit të këtyre ndërhyrjeve kirurgjikale nga Fondi, duke thënë se çmimorja e ndërhyrjeve të paguara nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor ndaj klinikave private apo ndaj spitalit shtetëror kardiovaskular është i njëjtë dhe nuk ka dallime mes pagesave të tyre. Për këtë vit rreth 40 milionë euro janë parashikuar për këto intervenime.
“FSSh-ja ndan 79.282 denarë për intervenim për infarktin akut, respektivisht për implantimin e stenteve. Ky është çmimi i Fondit që po e paguan. Pse e theksojë këtë? Sepse kjo është çmimore e vetme që ua paguam të gjitha spitaleve, pra për të njëjtën pagesë punojnë klinikat private apo ajo e shtetit. Roli ynë si blerës i shërbimeve është që të sigurojmë shërbime të mjaftueshme ku nuk do të ketë listë të pritjeve, ku çmimet do të jenë njësojë për të gjithë.”, - deklaroi drejtori i FSSh-së, Sasho Klekovski.
Sipas të dhënave të FSSh-së, numri i përgjithshëm i intervenimeve të kryera kardiovaskulare që Fondi financiarisht ua ka paguar spitaleve private është shumë më i madh se sa spitalit shtetëror kardiologjik. Klekovski thotë se vazhdimisht po kryhen kontrolle të rregullta dhe të jashtëzakonshme.
“Të gjitha institucionet kryesore shëndetësore po kontrollohen rregullisht njëherë në vit, ndërsa vazhdimisht po veprojmë edhe ndaj parashtresave të qytetarëve që arrijnë tek ne. Konkretisht edhe te klinika “Zhan Mitrev” dhe “Sistina” gjatë gjithë këtyre viteve kemi kryer kontrolle të rregullta, ku kemi shikuar gjithçka që është bërë dhe kryer me ndërhyrjet kirurgjikale, që financiarisht po i mbulon FSSh-ja.”, - u shpreh drejtori i FSSh-së, Sasho Klekovski.
Ndërhyrje kardiologjike përveç në dy klinikat private në Shkup dhe në spitalin shtetëror, po ashtu po bëhen edhe në Shtip, Tetovë, Manastir dhe Strumicë, tha Klekovski. Për pretendimet e Sashko Kedevit se disa klinika private po kryejnë intervenime kardiovaskulare të panevojshme mbi pacientët duke i detyruar ata të vendosen stente dhe operacione të tjera të panevojshme, Ministria e Shëndetësisë ka formuar komision profesional, i cili do t’i hetojë pretendimet e Kedevit duke siguruar 3 kardiokirurgë të huaj. Në ndërkohë prej të mërkurës përmes ueb faqes së MSh-së, të gjithë qytetarët mund të denoncojnë çdo dyshim apo parregullsi eventuale që lidhen me kryerjen e ndërhyrjeve kardiake dhe kardiovaskulare.
REXHEP QAMILI
