Maqedoni

Ekonomia e vendit, Filipçe: Inflacioni rritet, Qeveria s’merr masa

27.08.2025 15:25

LSDM akuzon pushtetin se po aplikon masa të gabueshme ekonomike dhe si pasojë kemi një inflacion të pakontrolluar...

Lidhja Socialdemokrate akuzon pushtetin se po aplikon masa të gabueshme ekonomike dhe si pasojë kemi një inflacion të pakontrolluar, dhe, për më tepër, konsiderojnë se Qeveria nuk po ndërmerr masa të nevojshme që do të ndikonin pozitivisht në buxhetin familjar. Sipas LSDM-së, shpenzimet rriten dukshëm më shumë se paga minimale. Ata thonë se nuk do të tërhiqen nga angazhimi në Kuvend mbi propozimin e pagës minimale prej 500 eurove dhe masave të tjera.
 
“Ajo që bëhet e qartë është se pushteti e ngrit inflacionin për shkak se e mbush buxhetin dhe ua rrit fitimin firmave të afërta, të cilën e paguajnë qytetarët, punësimet bëhen në mënyrë oligarke. Maqedonia po shndërrohet në vend të varfërisë dhe paqartësisë. Çka më tepër mund ta sqarojë faktin se pushteti nuk ka ndërmarrë absolutisht asgjë për t’u përballur me inflacionin dhe rritjen e çmimeve?!”, - deklaroi Venko Filipçe nga LSDM.
 
VMRO: Inflacionin e solli LSDM-ja derisa ishte në pushtet
 
Por, nga VMRO-ja akuzojnë LSDM-në se ata janë faktorët që e rritën inflacionin derisa ishin në pushtet.
 
“Filipçe flet për ekonominë, i njëjti kur ishte pjesë e Qeverisë, që e solli inflacionin më të madh në shtet, rrymën dhe derivatet më të shtrenjta, varfëri dhe borxh të gjeneratave të reja. Nga politikat e tyre populli mbijetonte me rritje rekord të çmimit të bukës dhe produkteve bazë. Sot ai flet për standarde, i njëjti që e solli shëndetësinë e vendit në hi.”, - theksoi Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE.
 
Nga beteja për rritjen e pagës minimale nuk do të tërhiqet edhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, edhe pse për ta është shqetësuese fakti se deri më tani, nuk ka situatë të volitshme për rritjen e minimales prej 30 mijë denarëve, së paku deri pas mbarimit të zgjedhjeve lokale. Nëse nuk arrihet marrëveshje, nga LSM-ja disa herë kanë paralajmëruar vazhdimin me protesta dhe greva, si shenjë revolte për të arritur një jetë dinjitoze të punonjësve dhe familjarëve të tyre.


NERMIN MULAKI FEJZULLAHU