Maqedoni

Gjykimi për sulmin ndaj Arsovskës, dëshmojnë ekspertë mjekësorë, zyrtarë policorë

27.08.2025 15:39

Gjykimi për sulmin ndaj kryetares së Shkupit Arsovska vazhdoi me dëgjimin e ekspertit mjekësor dhe nëpunësve të policisë....

Gjykimi për sulmin ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtjes dhe palës së akuzuar. Në seancë dëshmuan eksperti mjekësor dhe zyrtarë policorë. Ekspertja, profesoreshë e mjekësisë ligjore zbuloi se Arsovska pas sulmit ka pësuar lëndim të lehtë në këmbën e majtë dhe ky lëndim sipas sajë nuk bie në lëndime të rënda.
 
Ndërkohë njëri nga zyrtarët policorë të cilët morën pjesë në ngjarjen kur ndodhi sulmi, në cilësinë e dëshmitarëve të mbrojtjes deklaroi se  kur ata kanë arritur në vendin e ngjarjes nuk e kanë parë sulmin ndaj kryetares, pasi që kanë qenë të kthyer në anën tjetër, por që kanë dëgjuar kur ajo ka thënë se u sulmua dhe janë dëgjuar ofendime. Zyrtari tjetër policor theksoi se koha e intervenimit policor dhe arrestimit ka qenë përafërsisht 15 deri 20 minuta dhe jo 45 minuta apo një orë, siç kishte deklaruar Arsovska. Zyrtari policor gjithashtu deklaroi se edhe Arsovska ka adresuar ofendime ndaj të akuzuarit Sulejmani.
 
Gjykimi për këtë rast do të vazhdojë ditën e premte. Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, sipas akuzës u sulmua fizikisht më 11 korrik në Çair, pranë “Rrugës së plastikave”, kur ajo doli të inspektonte ndërtesat e paligjshme dhe lidhjet e paligjshme të ujit dhe energjisë elektrike. Në fillim të gjykimit i akuzuari Lamallari u deklarua i pafajshëm. Ndërkohë në seancë, mbrojtja e të akuzuarit Sulejman Lamallari, paralajmëroi padi kundër Arsovskës për sulm dhe incizim pa leje. 
 
FLORIJE KAMBERI