Botë
Presioni ndaj Gazës vazhdon, të paktën 75 të vrarë në 24 orët e fundit, numri total arrin në 62.895
27.08.2025 16:00
Ushtria izraelite po vijon ofensivën në qytetin e Gazës, duke shkatërruar lagje të tëra dhe duke i lënë familjet palestineze...

Ushtria izraelite po vijon ofensivën në qytetin e Gazës, duke shkatërruar lagje të tëra dhe duke i lënë familjet palestineze pa asnjë vend të sigurt për të shkuar, teksa kërkon të pushtojë qendrën më të madhe urbane të Rripit. Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë, janë ndarë të dhënat e fundit në lidhje me viktimat dhe të plagosurit në sulmet që Izraeli vazhdon në Rripin e Gazës. Në 24 orët e fundit në spitalet në Gazë janë sjellë 76 të vrarë dhe 298 të tjerë të plagosur. Të paktën 11.050 palestinezë janë vrarë dhe 46.886 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtria izraelite ka kryer që nga 18 marsi e deri më tani, duke shkelur armëpushimin e arritur më 19 janar.
Protestuesit në Izrael kërkojnë armëpushim dhe lirim të pengjeve, Netanjahu: Do t’i lirojmë pengjet
Ndërkohë, mijëra protestues bllokuan autostradat në Izrael duke kërkuar një armëpushim dhe lirimin e pengjeve që ende mbahen në Gazë. Kryeministri izraelit u takua me kabinetin e tij të sigurisë, por Qeveria tha se takimi nuk do të përfshinte diskutimin e bisedimeve për armëpushim. Duke folur në një aktivitet të organizuar nga këshilli i vendbanimeve të Bregut Perëndimor në Jerusalem, Netanjahu tha se lufta filloi dhe do të përfundojë në Gazë.
"Do të them një gjë, filloi në Gazë dhe do të përfundojë në Gazë. Ne nuk do t'i lëmë këta përbindësha atje, do t'i lirojmë të gjitha pengjet tona, do të sigurohemi që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin.", - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan ka deklaruar se lufta në Rripin e Gazës do të mbarojë brenda pak javësh. Trampi pretendon se ShBA-ja dhe Izraeli po vazhdojnë presionin mbi grupin militant. Hamasi po mban 50 pengje, 20 prej të cilëve besohet se janë ende gjallë. Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 62.895, ndërsa numri i të plagosurve në 158.927.
ARMEND MURSELI
