Maqedoni
Filipçe: Akuzat për destabilizim janë të rreme
27.08.2025 16:25
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, mohoi sot akuzat e kryeministrit për skenare destabilizimi...

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, mohoi sot akuzat e kryeministrit për skenare destabilizimi. Filipçe tha se kryeministri përdor këto akuza për të fshehur dështimet e Qeverisë, duke theksuar krizën ekonomike, ngecjen në procesin e integrimit në BE dhe mungesën e progresit në arsim e bujqësi. LSDM, sipas tij, do të vazhdojë të përdorë të gjitha mekanizmat demokratike kundër qeverisë “jopopullore dhe antishtetërore”.
“Arsyeja është e qartë, thjesht nuk ka asgjë për t’u lavdëruar. Nuk ka asnjë sukses që mund ta prezantojë, nuk ka asnjë politikë të mirë. Procesi i integrimit në BE është totalisht i bllokuar, vendi po kthehet prapa në ndarje dhe tensione ndërkombëtare, që është rezultat ekskluziv i politikës së kësaj qeverie. Nuk ka përparim as në arsim, as në bujqësi. Të gjitha masat dhe politikat e mira praktikisht kanë ndalur. Kryeministri nuk ka çfarë të bëjë tjetër, përveç se përpiqet të krijojë përshtypjen se ekzistojnë skenarë për destabilizim.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
VMRO-DPMNE: Filipçe është në situatë të mbrojë BDI-në
Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE thanë se LSDM-ja dhe BDI-ja janë dy subjekteve që tashmë janë një e kaluar, nuk u intereson asgjë përveç fshehjes së krimeve të tyre përmes ndarjeve etnike.
“Dy parti pa legjitimitet, pa ide dhe pa vizion, që dinë vetëm të mbrojnë pas ndarjeve etnike dhe interesave kriminale. E vërteta më e madhe është se LSDM nuk ka çfarë të ofrojë: nuk ka politikë, nuk ka program, nuk ka energji. Prandaj strategjia e tyre e vetme është kaos, dezinformim dhe akuza. Qytetarët maqedonas e kanë kuptuar lojën e Filipçes dhe mentorëve të tij.”, - theksoi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
VMRO-DPMNE pyet se çfarë ka BDI që Filipçe dhe Zaevi nuk mund të largohen nga prehri i tyre. Edhe pse flasin për udhëheqësi të re, ato sërish kthehen te partnerët e vjetër të krimit dhe korrupsionit, deklarojnë nga VMRO-DPMNE.
FLORIJE KAMBERI
