Maqedoni

Gara për Qytetin e Shkupit, shtatë kandidatë për kryetar në zgjedhjet lokale

27.08.2025 17:00

Listës së kandidatëve për kryetar të Qytetit të Shkupit...

Listës së kandidatëve për kryetar të Qytetit të Shkupit po i shtohen emra të rinj. Në garën zgjedhore është futur dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Goran Markovski, nga platforma qytetare “Të pavarurit së  bashku”.
 
Ai tha se ka vendosur të bëjë këtë hap, sepse nuk mund të dëgjojë më të qarën e qytetit të tij të lindjes, i cili sipas tij ka humbur identitetin, është në agoni, po mbytet dhe po fundoset.
 
Në programin e tij, prioritetet kryesore janë ndotja, trafiku me ujë dhe siguria urbane, çështje të cilat Markovski premton se nuk do t'i zgjedhë në mënyrë të përgjithshme, por me qasje konkrete dhe të fokusuar.
 
“Nuk duhet të ketë dyshim se do të vendoset energji e plotë e dijes dhe profesionalizmit për t’i zgjidhur këto probleme. Për katër vjet Shkupin nuk mund ta bëjmë Lublanë, nuk mund ta bëjmë qytet evropian ashtu siç duam ta kemi, por mund që të shkojmë në drejtim të cilën e dëshirojmë.’’, - deklaroi kandidati nga Platforma Qytetare “Të pavarurit së bashku”, Goran Markovski.
 
Listës së kandidatëve i bashkohet edhe një kandidat i pavarur
 
Nga platforma “Të pavarurit së bashku”, e cila i dha mbështetje të plotë Markovskit për t’u kandiduar si kandidat i pavarur për Shkupin, thonë se ai është një profesionist dhe një personalitet me përvojë të gjatë.
 
“Kemi mundësi që qytetit t’i japim ardhmëri më të mirë dhe do të dua sot t’ju them që qytetarët mund të zgjedhin kandidat i cili me dijen e tij, me profesionalizimin e tij dhe integritetin e tij, do të kontribuojë me qytetin.”, - theksoi Jana Belçeva nga Platforma Qytetare “Të pavarurit së bashku”.
 
Deri tani për Qytetin e Shkupit zyrtarisht janë shtatë emra: gjashtë nga partitë politike dhe një kandidat i pavarur. VMRO-DPMNE garon me Orce Gjorgjievskin, LSDM me Kaja Shukovën, e Majta me Amar Mecinoviq, VLEN-i me Bashkim Bakiun, AKI me Skender Rexhepin, profesori i dizajnit, Aleksandar Rashkoviq, i cili do të garojë si kandidat i pavarur i mbështetur nga partia TMRO dhe së fundmi dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Goran Markovski, si kandidat i pavarur nga platforma qytetare “Të pavarurit së bashku”.
 
Përveç këtyre kandidaturave priten edhe kandidatura të reja, nga iniciativa qytetare, pasi sipas udhëzimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve mjaftojnë vetëm dy firma për të dorëzuar një kandidaturë.
 
Afati për dorëzimin e kandidatëve skadon më 13 shtator në mesnatë. Rundi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rundi i dytë është i sigurt për më 2 nëntor.
 
ARMEND MURSELI