Maqedoni

Rikonstruimi i Qeverisë, Osmani: VMRO tenton bashkëpunimin me BDI-në

28.08.2025 14:14

Partitë politike në vend në një arenë ‘përplasjesh’ para zgjedhjeve me akuza të ndërsjella publike...

Partitë politike në vend në një arenë ‘përplasjesh’ para zgjedhjeve me akuza të ndërsjella publike. Por, sipas nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, në prapaskenë pretendohet e kundërta. Osmani thotë se përkundër akuzave të Mickoskit kundrejt BDI-së, VMRO-DPMNE po punon për të afruar raportet me integristët për përfshirjen e tyre në qeveri pas zgjedhjeve lokale.
 
“Kur e dëgjoj kryeministrin, për shkak të matematikave zgjedhore që çdo ditë thotë: BDI në opozitë, ndërkaq çdo ditë na dërgojnë emisarë se si pas zgjedhjeve... Për shkak se ata i shohin anketat. Anketa e fundit që ka bërë VMRO – DPMNE, dallimi ndërmjet Aleancës Kombëtare për Integrim dhe VLEN-it është diku 3 me 1. Ata e dinë që situata është e paqëndrueshme, kurse vetë kanë rënie mbi 100 mijë vota dhe e dinë që do të duhet patjetër për të krijuar një stabilitet të Qeverisë do të duhet të rikonfigurohet. Mirëpo, ne ju kemi thënë se nuk do të lejojmë që Qeveria të bëhet pazar me përfaqësimin shqiptar.”, - deklaroi Bujar Osmani nga BDI.
 
Mexhiti: BDI vazhdon me fushatë të rreme
 
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, thotë se nuk është në dijeni të këtyre tendencave të BDI-së, pasi fokusin e kanë në zgjedhjet lokale dhe mirëqenien e qytetarëve.
 
“Ata duke mos pasur vizion se si të udhëhiqet Çairi, duke qenë politikanë i salloneve çdo herë bazohet te Borreli, Lajçaku, te porositë që i vijnë dhe nuk i tregon, i dini që edhe në të kaluarën ka pasur porosi të koduara që i din vetëm ai. Vazhdojnë me anketa të rrejshme duke mos i shpalosur agjencitë.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
 
Mickoski: Opozita i ka të humbura zgjedhjet
 
Kryeministri Hristijan Mickoski edhe sot ka vazhduar me retorikën e njëjtë se opozita i ka të humbura zgjedhjet.
 
“Çfarëdo që të bëjnë, shumë shpejt prej tani, më 19 tetor, do të përballen me humbje zgjedhore, që do të konfirmohet në rrethin e dytë. I sugjeroj të heqin dorë nga kohërat e vjetra dhe të jenë opozitë konstruktive.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Edhe koalicionet parazgjedhore për rrethin e parë janë definuar. Koalicionet VLEN, AKI, VMRO, por edhe LSDM, në rrethin e parë zgjedhor do të dalin të vetme. Koalicionet qeveritare do të mbështesin njëra-tjetrën në zona të caktuara, ndërkaq opozita LSDM dhe BDI bashkëpunimin eventual parazgjedhor do ta bisedojnë në raundin e dytë të lokaleve.
 
MERAL ISMAILI