Maqedoni
Bashkëpunim policor mes RMV-së dhe Sllovenisë, në fokus, reformimi i Policisë dhe MPB-së
28.08.2025 14:59
MPB-të e Sllovenisë dhe RMV-së fillojnë bashkëpunim rajonal në kuadër të asociacionit të policisë akademike...

Ministria e Punëve të Brendshme të Sllovenisë dhe të Maqedonisë së Veriut fillojnë bashkëpunim rajonal në kuadër të asociacionit të policisë akademike në rajon për reformimin e Policisë dhe Ministrisë së Brendshme konform të gjitha standardeve evropiane. Këtë gjë e paralajmëroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, në takim me homologun e tij nga Sllovenia, Boshtjan Pokllukar në Ohër. Me rëndësi të madhe është mbartja e përvojës policore të Sllovenisë tek ne, tha Toshkovski me këtë rast.
“Fillojmë një asociacion rajonal, i cili në të ardhmen do të duhet të japë rezultate shumë të mira për reformimin e Policisë dhe të MPB-së. Njëherësh ne biseduam edhe për bashkëpunimin mes të dy policive, e në veçanti për bashkëpunimin ndërkombëtar, kontrollit të brendshëm, profesionalizimin e policisë, si dhe për pjesën e krim-policisë, e cila është kyçe kundër luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Ministri i Brendshëm slloven, Boshtjan Pokllukar, tha se Sllovenia fuqishëm mbështet përpjekjet e MPB-së për të reformuar sa më profesionalisht policinë dhe për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe migrimin ilegal.
“Bashkëpunimi ynë me MPB-në e Maqedonisë së Veriut është e shkëlqyer dhe tani është vazhdim dhe përafrimi i standardeve të BE-së. E di dhe besoj se Toshkovski ka një ekip të mirë me bashkëpunëtorë të shkëlqyer nga Policia Akademike dhe organizatat tjera, andaj Sllovenia në disa segmente jep mbështetje. Andaj ne dëshirojmë të vazhdojmë bashkëpunimin edhe për krimin e organizuar dhe korrupsionin, migracioni dhe çështje të tjera.”, - theksoi ministri i Brendshëm i Sllovenisë, Boshtjan Pokllukar.
Një ndër synimet e ardhshme e të dyja policive do të jetë edhe organizimi i disa trajnimeve dhe edukimeve për personelin policor që të jenë sa më efikas gjatë kryerjes së veprimtarisë së tyre, u tha me këtë rast.
REXHEP QAMILI
