Maqedoni
Akuzat për organizmin e Samitit të OSBE-së, Osmani: Organet kanë konfirmuar, s’ka parregullsi
28.08.2025 15:15
Ish-ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani, mohon për parregullsi gjatë mbajtjes së Samitit të OSBE-së....

Ish-ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani, mohon për parregullsi gjatë mbajtjes së Samitit të OSBE-së. Thotë se bëhet fjalë për një temë të vjetër dhe tashmë të sqaruar, e cila po keqpërdoret politikisht pas shpalljes së kandidaturës së tij, ndërkaq shton se edhe Prokuroria Publike, edhe Antikorrupsioni, kanë raporte me shkrim se nuk janë konstatuar as parregullsitë më të vogla. Këto janë manipulime të VLEN-it dhe disa mediave, thotë Osmani.
“Të dyja institucionet më kompetente kanë dërguar shkresë me shkrim se nuk ka asnjë parregullsi, dhe tash mediumet paskan zbuluar “marrëveshje ekskluzive”, një marrëveshje që është e publikuar një vjet në Byronë për Prokurime Publike dhe shihet qartë se këto janë lajme të porositura në kuadër të fushatës zgjedhore, me idenë: edhe ne jemi të korruptuar, por edhe këta janë të korruptuar. Ju keni dokument të Prokurorisë, e cila konstaton se nuk ka asnjë parregullsi. Keni dokument të Antikorrupsionit, që konstaton se s’ka asnjë korrupsion, shtabet politike dalin përditë dhe përsërisin një gënjeshtër.”, - deklaroi ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Mexhiti: Nuk e themi ne, e thotë EShR-ja
Kundërpërgjigjen nga VLEN-i. Thonë se konstatimet kanë dalë nga Enti Shtetëror për Revizion, duke shtuar se me dyshimin duhet të merren organet kompetente.
“Kjo nuk është çështje e ekzekutivit t’i komentojë këto gjëra, është raport i Entit Shtetëror për Revizion që ka konstatuar keqpërdorime të samitit dyditor, ku janë harxhuar 2 milionë euro dhe shuma që shihet aty, 200 denarë për m2 për kositjen e barit, 7 mijë euro për ndërrim të tubacioneve, janë shuma të frikshme, mirëpo këtë do t’ia lëmë gjyqësisë dhe prokurorisë. Ndërsa ne qytetarët e Çairit po e paramendojmë se më kësi çmime, zhvatje, nëse kosit barin sikur te “Boris Trajkovski”, do t’i lënë edhe arsimtarët pa rroga dhe buxhetin e Çairit do ta gëlltisë brenda dy javëve Bujari. Enti Shtetëror për Revizion kur konstaton, me automatizëm edhe ngrihet padi penale.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
Duke u thirrur në raportin e EShR-së, VLEN-i dyshon se Osmani ka shpenzuar rreth 120 milionë denarë për këtë samit pa pasur dokumentacion dhe evidencë, andaj edhe kanë dorëzuar kallëzim në Prokurorinë Publike, ku kërkojnë të veprohet mbi raportin e Entit Shtetëror për Revizion lidhur me organizimin e Samitit të OSBE-së.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
