Maqedoni

Zbatimi i “Safe City” në vitin 2026, Toshkovski: Gjoba për këmbësorët që do të përdorin celularë

28.08.2025 15:40

Ndalim i përdorimit të celularëve teksa këmbësorët, çiklistët dhe drejtuesit e automjeteve janë pjesëmarrës në trafik...

Ndalim i përdorimit të celularëve teksa këmbësorët, çiklistët dhe drejtuesit e automjeteve janë pjesëmarrës në trafik. Kjo risi parashikohet në ndryshimet e ligjit për komunikacionin rrugor që e paralajmëroi sot ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, e që është e nevojshme për ta vënë në zbatim të plotë projektin “Safe City”. Të gjithë pjesëmarrësit, që do të përdorin celularët e tyre në trafik, do të gjobiten, tha Toshkovski.
 
“Me ndryshimet parashihen ndalime për përdorimin e celularëve dhe pajisjeve elektronike gjatë drejtimit të biçikletës, motoçikletës, skuterit, traktorë  dhe automjeteve të tjera dhe në të njëjtën kohë për këmbësorët kur ecin, kalojnë rrugën ose lëvizin përgjatë një shtegu biçikletash. Qëllimi i këtij sistemi nuk  është për t’i gjobitur qytetarët, e as për ta mbushur arkën e  shtetit, por për të rritur sigurinë në komunikacion.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski. 
 
Kamerat e sigurisë “Safe City” do t’i regjistrojë shkelësit e rregullave në komunikacionin rrugor dhe do të parashikojë gjoba në adresat e shkelësve. Ky do të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm, ndërsa një muaj paraprakisht, MPB-ja do të fillojë testimin dhe informimin e qytetarëve për këtë projekt, tha Toshkovski.
 
““Safe City” do të fillojë të funksionojë më 01.01.2026, por para se të zbatohet formalisht ky sistem për një qytet të sigurt, më së paku një muaj para do të fillojmë me periudhën testuese, ku do të informohen qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion se kanë kryer ndonjë lloj të kundërvatjes, por hyrja në fuqi e të gjitha dispozitave ligjore do të jetë më 1 janar të vitit 2026.”, - theksoi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
 
Zbatimi i projektit fillimisht do të zbatohet në tre qytetet, respektivisht në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, ndërsa qëllimi kryesor i tij është rritja e sigurisë në komunikacion duke rritur kontrollet dhe gjobat për të gjithë shkelësit e rregullave dhe duke ulur numrin e viktimave dhe tërbimin nëpër rrugët e vendit tonë, por njëkohësisht do të kontribuojë edhe për të ulur krimin në vend.
 
REXHEP QAMILI