Rajon
Kosovë, dështoi zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb, Rashiqi mori vetëm 56 vota
28.08.2025 16:39
Kuvendi i Kosovës ka vazhduar sot me procesin e zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb...

Kuvendi i Kosovës ka vazhduar sot me procesin e zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, ku kandidatët u zgjodhën përmes shortit. Nenad Rashiqi nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjidhur nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb. Ai mori vetëm 56 vota për, 1 kundër dhe 20 abstenime. Vota kundër ishte e deputetit të AAK-së, Lahi Brahimaj. Deputetët e PDK-së dhe ata të Nismës kanë abstenuar, ndërkaq deputetët e LDK-së nuk morën fare pjesë në votim. Votat e vetme pro, Rashiqi i mori nga deputetët e LVV-së. Për zgjedhjen e nënkryetarit serb, Lista Serbe nuk mori pjesë në administrimin e shortit.
“Ata e dinë mirë se çfarë po bëjnë. Në seancën e kaluar kam biseduar disa herë me kryetarin e Kuvendit dhe i kam tërhequr vërejtjen për shkeljet dhe parregullsitë. Nënkryetari duhet të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve serbë, dhe në këtë rast ai është Sllavko Simiq. Lista Serbe dhe populli serb nuk janë pengesë e as dikush që dëshiron të bllokojë proceset, por vetëm kërkojmë që të respektohen të drejtat tona.”, - deklaroi Igor Simiq nga Lista Serbe.
Por, këtë e mohon Rashiqi, i cili pas seancës së sotme në të cilën nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, tha se votimi për ta vendosur atë në këtë pozitë nuk është antikushtetues.
“Votimi për mua nuk është kundërkushtetues, sikur e parasheh edhe ligji, pika 56, e përcakton që një prej deputetëve mund të kandidohet. Votimi për mua nuk është kundërkushtetues, dhe jo vetëm që unë e them, por kam pasur konsulta me njerëz që janë më kompetentë në aspektin ligjor dhe kanë treguar se veprimi i tillë nuk është antikushtetues.”, - theksoi deputeti serb në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, e ka quajtur të pakuptimtë mosvotimin nga partitë e tjera të Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb. Ai tha se nuk ka pasur konsensus që votimi për nënkryetarët e komuniteteve joshumicë të bëhet në pako.
“Nuk e kuptojmë cili është qëllimi i opozitës ku një pjesë abstenon dhe një pjesë nuk merr fare pjesë në votim. Nëse jo Nenad Rashiqi, kush? Po besoj këtë pyetje duhet ta shtrojmë në vazhdimësi.”, - theksoi Hekuran Murati nga LVV.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka konsideruar jokushtetues ndarjen e votimit për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Sipas tij, zgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë është dashur të bëhet në pako. Haradinaj shtoi se Kurti qëllimshëm po tenton të vazhdojë zvarritjen e konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që të vazhdojë të jetë si kryeministër në detyrë.
ARMEND MURSELI
