Botë

Rusia godet Kievin me raketa dhe dron, ka viktima dhe dhjetëra të plagosur, dëmtohet godina e delegacionit të BE-së

28.08.2025 17:07

Rusia godet Kievin me raketa dhe dron, ka viktima dhe dhjetëra të plagosur...

Edhe përkundër deklaratave të presidentit amerikan se së shpejti do të ketë një takim mes presidentit rus Putin dhe presidentit ukrainas Zelenski për armëpushim dhe paqe, sulmet masive me raketa balistike dhe dronë nuk kanë të ndalur në drejtim të Kievit. Janë goditur ndërtesa banimi dhe qendra tregtare. Ka viktima dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa thuhet se numri i të vdekurve do të rritet gjatë operacioneve të shpëtimit.
 
“Dëgjova një shpërthim të fortë në shtëpinë ngjitur, dera më ra mbi kokë. I gjithë apartamenti u shkatërrua, makinat u dëmtuan, menjëherë vrapuam jashtë dhe u strehuam.”, - tha një banor i Kievit, Vitalij Sançenko.
 
“Dëgjova një shpërthim në prapavijë, pastaj një tjetër, dritaret tashmë ishin thyer. Doja të ikja, por vetëm pas disa sekondash ndodhi një shpërthim i ri. Pastaj gjithçka përfundoi.”, - tha një banore e Kievit, Sofia Akilova.
 
Në sulm u dëmtua edhe godina e delegacionit të BE-së. Brukseli e dënoi këtë akt.
 
“Jam i tmerruar nga edhe një sulm tjetër i natës, vdekjeprurës, me raketa ndaj Ukrainës. Mendimet e mia janë me viktimat ukrainase dhe me personelin e delegacionit të BE-së në Ukrainë, ndërtesa e të cilit u dëmtua nga ky sulm i qëllimshëm rus. Agresioni rus vetëm sa e forcon vendosmërinë tonë të qëndrojmë përkrah Ukrainës dhe popullit të saj.”, shkroi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.
 
Zelenski kërkon më shumë presion mbi Putinin
 
Edhe Zelenski tha se ky sulm i tregoi botës përgjigjen e Rusisë ndaj përpjekjeve diplomatike të presidentit amerikan Tramp për t’i dhënë fund luftës. Ai vazhdon të kërkojë më shumë presion mbi Putinin.
 
“Rusët nuk do të përmbushin atë që i premtuan ShBA-së dhe të tjerëve në botë që insistojnë për t’i dhënë fund vrasjeve dhe për diplomaci të vërtetë. Duhet të ushtrojmë presion. Duhet ta detyrojmë Rusinë të ndërmarrë hapat e duhur, të përfundojë luftën që e nisi.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Merz: Kapitullimi i Ukrainës nënkupton luftë të re
 
Zelenski gjithashtu konfirmoi takimin e nesërm në Nju Jork mes delegacionit amerikan dhe atij ukrainas për garancitë e sigurisë ndaj Kievit. Kremlini shprehet për paqe, por kundërshton vendosjen e trupave. Kancelari gjerman Merz paralajmëroi se kapitullimi i Ukrainës do t’i jepte kohë Putinit për një luftë të re.
 
“Kjo luftë duhet të përfundojë. Por, jo me çdo çmim. Ne nuk duam që Ukraina të kapitullonte. Një kapitullim i tillë vetëm do t’i jepte kohë Rusisë, të cilën Putini do ta përdorte për t’u përgatitur për luftën e ardhshme.”, - deklaroi kancelari i Gjermanisë, Fridrih Merz.
 
Evropa po rrit prodhimin e municioneve të artilerisë. Në Gjermaninë veriore është hapur një fabrikë e re ushtarake për forcimin e sigurisë së kontinentit dhe mbështetjen e mbrojtjes së Ukrainës. Që nga fillimi i luftës, industria evropiane e mbrojtjes është kritikuar për ngadalësinë dhe kapacitetet e pamjaftueshme, gjë që e ka vonuar furnizimin me armë dhe municion për Kievin.
 
ARMEND MURSELI