Maqedoni

Gjykimi për sulmin ndaj Arsovskës, Lamallari: Jam viktimë, jo sulmues

29.08.2025 15:15

Në Gjykatën Themelore Shkup 1 vazhdoi gjykimi për sulmin ndaj Arsovskës...

Në Gjykatën Themelore Shkup 1 vazhdoi gjykimi për sulmin ndaj Arsovskës me prezantimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve të palës mbrojtëse dhe të pandehurit, në këtë rast Lamallari. Ky i fundit para trupit gjykues kategorikisht mohoi se e ka sulmuar Arsvoskën dhe tha se përkundrazi, në këtë rast ai është viktimë i incidentit të ndodhur më 11 korrik, teksa kryetarja e Qytetit të Shkupit me ekipin e saj ka inspektuar një objekt. I pandehuri këtë e arsyetoi duke thënë se gjatë incidentit ai në asnjë moment nuk e ka lëshuar prej dore trotinetin elektrik përmes së cilit kishte ardhur deri tek objekti në fjalë. Tha se ka ndodhur një grindje verbale dhe kontakt fizik, gjatë të cilit, sipas tij, Arsovska e ka goditur me shqelm atë ne gjymtyrët e këmbës, ku paraprakisht ajo xhironte me celularin e saj. Lamallari u ankua se Arsovska nuk e ka dëgjuar thirrjen e tij për t’u larguar dhe të mos xhironte pa leje. 
 
Njëherësh pranoi se mes tij dhe Danella Arsovskës ishin shkëmbyer sharje dhe fjalë të ndërsjella, duke përmendur detajisht disa prej tyre, të cilat Arsovska ia kishte adresuar atij. I pyetur nëse ndihej i dëmtuar, Lamallari u përgjigj pozitivisht dhe theksoi se nga ky gjykim pret që edhe kryetarja e Shkupit të mbajë përgjegjësi, siç tha ai, për atë që ajo ka bërë. Me përfundimin e dëgjimit të dëshmitarëve, ky gjykim hyn në procedurë përfundimtare ku në seancën e ardhshme gjyqësore do të jepen edhe fjalët përfundimtare të të dyja palave.  Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Aleksandar Davçevski, Sulejman Lamallari më 11 korrik pas ardhjes së tij tek objekti, ai e ka sulmuar fizikisht dhe verbalisht Arsovskën, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe duke e kërcënuar seriozisht atë.  Gjykatësja Biljana Kocevska në fund do të duhet të gjejë të vërtetën mes dy dëshmive të kundërta mes Arsovskës dhe Lamallarit se ku qëndron e vërteta rreth këtij incidenti.
 
REXHEP QAMILI