Maqedoni

Skandali me ndërhyrjet e panevojshme kirurgjike, Klekovski: Pacientët të parashtrojnë ankesa

29.08.2025 15:30

Secili pacient që dyshon se i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale të panevojshme pas skandalit të operacionit në zemër vetëm për të përfituar para...

Secili pacient që dyshon se i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale të panevojshme pas skandalit të operacionit në zemër vetëm për të përfituar para, duhet ta raportojë rastin.  Kështu thekson drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasho Klekovski, i cili potencon se edhe pas publikimit të  skandalit, nuk ka pasur asnjë raport ose ankesë për një operacion të mundshëm të panevojshëm. 
 
“U bëjmë thirrje të gjithë pacientëve që kanë dyshime, pavarësisht nëse kanë dokumente, të paraqesin ankesa. Dokumentet për operacionet mbahen në arkivat e spitalit.”, - deklaroi drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasho Klekovski.
 
Skandali, me ndërhyrjet e dyshuara si të panevojshme në spitalet private, u zbulua nga kardiologu, Sashko Kedev, i cili akuzoi publikisht se operacionet në zemër u kryheshin pacientëve pa nevojë, vetëm për interes financiar. Ai i drejtoi dyshimet te klinikat private "Zhan Mitrev" dhe "Axhibadem Sistina", të cilët i hodhën poshtë pretendimet dhe thanë se punojnë sipas protokolleve të përcaktuara mjekësore, ndërsa  ndërhyrjet janë të  dokumentuara dhe të arsyetuara. Klinikat treguan se janë të hapura me organet mbikëqyrëse dhe mbështesin të gjitha iniciativat për transparencë dhe për të sqaruar rastin.
 
Pas akuzave për operacione të panevojshme, Ministria e Shëndetësisë ka formuar dy komisione për të hetuar rastin. Njëri është i brendshëm, i përbërë nga mjekë, përfaqësues të juristëve dhe ekonomistë, i cili ka për detyrë të analizojë të gjitha operacionet kardiologjike dhe kardiake në vend midis janarit 2023 dhe gushtit 2025.  Komisioni i dytë është ndërkombëtar, i përbërë nga tre mjekë, të cilët do të kryejnë edhe mbikëqyrje në institucionet shëndetësore private dhe publike. 
 
FITORE DEMOLLI