Botë
Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë, aleatët premtojnë ndihmë ushtarake për Kievin
29.08.2025 15:55
Presidenti rus, Vladimir Putin, po tallet me përpjekjet për paqe në Ukrainë....

Presidenti rus, Vladimir Putin, po tallet me përpjekjet për paqe në Ukrainë. Kështu deklaron shefja e diplomacisë evropiane. Brukseli po përgatit paketën e re të sanksioneve ndaj Moskës. Në Danimarkë mbahet samiti joformal i ministrave të mbrojtjes së BE-së, një ditë pas sulmit vdekjeprurës rus ndaj Kievit, në të cilin gjetën vdekjen mbi 20 persona mes të cilëve edhe fëmijë, e ku u dëmtua edhe hapësira e delegacionit të BE-së dhe Britanisë.
“Ukraina ka nevojë për të gjithë mbështetjen e nevojshme ushtarake pikërisht tani, prandaj po diskutojmë me ministrat e mbrojtjes se çfarë mund të bëjmë. Kur diskutohen garancitë për sigurinë, patjetër që diskutojnë edhe për periudhën më pas. Por, kjo ditë nuk duket e afërt me atë që po bën Putini.”, - deklaroi shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Kaja Kallas.
Partnerët evropianë i premtuan Ukrainës më shumë ndihmë në armatim dhe pajisje.
“Shpresat për bisedime paqësore duken naive kur shikon se çfarë po ndodh në Ukrainë, se çfarë ndodhi mbrëmë kur u bombarduan misionet diplomatike, kur pamë se gjithçka që Putini bën, është që po i shtyn bisedimet.”, - theksoi ministrja e Mbrojtjes e Lituanisë, Doville Sakaliene.
“Është e qartë se Rusia vazhdon të angazhohet me akte terroriste. Po sulmon popullatën civile, e duke mos treguar gatishmëri për të ndërprerë sulmet.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes i Irlandës, Sajmon Haris.
“Putini nuk do të tërhiqet, nëse nuk i bëhet presion më i fortë, që të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojë me seriozitet.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pop Xhonson.
Departamenti amerikan i shtetit miratoi shitjen e pajisjeve ushtarake për Ukrainën në vlerë prej rreth 825 milionë dollarësh, që është paketa e parë e tillë nga nisja e konfliktit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë thotë se të dy palët janë shumë gjatë në luftë.
“Presidenti nuk ishte i lumtur për këtë lajm, por gjithashtu nuk ishte i befasuar. Këto janë dy vende që kanë qenë në luftë për një kohë shumë të gjatë. Rusia e nisi këtë sulm ndaj Kievit. Po ashtu, Ukraina kohët e fundit ka goditur rafineritë ruse të naftës.”, - theksoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Leavit.
Putini zgjedh raketat balistike në vend të hapave të vërteta drejt paqes, thotë presidenti ukrainas.
“Ky sulm tregon qartë se objektivat e Rusisë nuk janë ndryshuar. Ata duan të luftojnë dhe sulmojnë jo vetëm popullin tonë, jo vetëm qytetet tona, komunitetet tona; Rusia tani sulmon edhe botën që kërkon paqe. Ky është një sulm ndaj Ukrainës, një sulm ndaj Evropës, dhe gjithashtu një sulm i Rusisë ndaj presidentit Tramp dhe aktorëve të tjerë globalë.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Nga Kremlini bënë të ditur se mbeten të interesuar për vazhdimin e bisedimeve për paqe, pavarësisht sulmit ajror, i cili ishte një nga më të mëdhenjtë që nga fillimi i luftës në vitin 2022.
