Maqedoni
Vazhdojnë akuzat mes partive, Osmani: Ta ndalim blerjen e votave
29.08.2025 16:40
Osmani pretendon se zgjedhjet lokale mund të kalojnë me blerjen e vullnetit të votuesve...

Kandidati për komunën e Çairit nga BDI-ja, Bujar Osmani, pretendon se zgjedhjet lokale mund të kalojnë me blerjen e vullnetit të votuesve nga ana e oponentit të tij politik shqiptar. Ai thotë se qytetarët do t’i japin fund sistemit të blerjes së votave më 19 tetor, përmes një lëvizjeje rezistuese ku do të dëgjohet zëri i popullit.
“Unë dëgjoj ditëve të fundit në kampin e kundërshtarit se duan të demotivojnë qytetarët duke shpërndarë paralajmërime se zgjedhjet do të përcaktohen një ditë para zgjedhjeve me blerjen masive të votave. Unë dua të them diçka të qartë! Më 19 tetor, populli i Çairit do të dalë masivisht dhe do të mposhtë sistemin e blerjes së vullnetit të qytetarëve.”, - deklaroi kandidati i BDI-së për Çairin, Bujar Osmani.
Mexhiti: Është nënçmim, çairasit nuk shiten
Mendimi i Osmanit hidhet poshtë nga oponenti i tij, Izet Mexhiti. Ky i fundit kërkon nga ai që të mos luajë me dinjitetin e çairasve dhe t’i vlerësojë si qytetarë të ndershëm që nuk korruptohen.
“Me siguri nga përvoja e vet mendon se mund të blihet vota. Mendoj se ky është nënçmim për qytetarin e Çairit, për votuesin e Çairit. Çka nënkupton Bujar Osmani, 20 vite i ka blerë votat për BDI-në? Është qesharake, e pakuptueshme se si është jofalënderues ndaj votuesve të Çairit. Votuesi i Çairit nuk blihet, nuk shitet!”, - theksoi kandidati i VLEN-it për Çairin, Izet Mexhiti.
Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN shton se kësaj radhe votuesit e Çairit jo vetëm se do të dinë të vlerësojnë, por me votën e tyre edhe do ta dënojnë kundërkandidatin e tij.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
