Maqedoni

Kuvendi i Kososvës, nuk zgjodhi nënkryetarin nga komuniteti serb, Haxhiu: Duhet konstituim, s’duam zgjedhje

30.08.2025 15:17

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë nënkryetarin...

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë nënkryetarin nga komuniteti serb. Nenad Rashiq, Mirjana Nikoliq dhe Igor Simiç nuk morrën shumicën e mjaftueshme të votave. Si rrjedhojëë, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka konsideruar të mbyllur seancën konstituive. 
 
Për nënkryetaren e kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, moszgjidhja e nënkryetarit  mund të çojë në zgjedhje, gjë që sipas saj, nuk është e nevojshme.
 
“Kjo situatë çon në zgjedhje. Ne nuk jemi të interesuar që të shkojmë në zgjedhje. Ne mendojmë se duhet të konstituohet kuvendi i Kosovës, të votohet qeveria, por ja që opozita po e pengon, këtë, prandaj, është në dorën e tyre”, u shpreh nënkryetarja e kuvendit Albulena Haxhiu.
 
PDK, LDK: Mbyllja e seancës, shkel kushtetutën
 
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se mbyllja e seancës konstituive nga kryeparlamentari Dimal Basha, pa zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, është shkelje flagrante e Kushtetutës. 
 
“Ishit dëshmitarë të një shkelje flagrante të Kushtetutës, ku kryetari i sapozgjedhur mbylli seancën konstituive pa të drejtë sepse rregullorja e thotë qartë që Kuvendi konstituohet dhe seanca mbyllet vetëm në rastin kur zgjedhet kryetari dhe zgjedhen të gjithë nënkryetarët”, ka deklaruar deputetja, Bajrami.
 
Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas përfundimit të seancës ka thënë se edhe përkundër faktit që ata mundësuan një proces që mund të zhbllokonte krizën politike dhe të nxirrte institucionet nga situata, LVV qartë nuk ka këtë qëllim, por dëshiron ta vazhdojë dhe ta thellojë krizën. 
 
Lista Serbe ankohet në gjykatën kushtetuese
 
Ndërkohë, deputetët e Listës Serbe kanë njoftuar dorëzimin e një ankese në Gjykatën Kushtetuese, siç thonë ata, "për shkak të shkeljes së rëndë të të drejtave të popullit serb në seancat e Kuvendit në Prishtinë".
 
"Parimet kushtetuese dhe demokratike janë shkelur rëndë, dhe popullit serb i është pamundësuar të ushtrojë të drejtat e tij të garantuara. Ne presim që Gjykata Kushtetuese të reagojë urgjentisht dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e sundimit të ligjit, si dhe të drejtave të popullit serb në përputhje me aktet ligjore në fuqi", thuhet në njoftimin e partisë në rrjetet sociale.
 
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Dimal Basha, ka caktuar mbledhje të kryesisë së Kuvendit për të hënën në ora 13.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU