Maqedoni

Dezinformatat në periudhën parazgjedhore, Zylbeari: Krijojnë konfuzion tek qytetarët

30.08.2025 15:55

Në periudhën parazgjedhore, qytetarët po përballen me një vërshim dezinformatash...

Në periudhën parazgjedhore, qytetarët po përballen me një vërshim dezinformatash dhe gjysmë të vërtetash, të shpërndara përmes portaleve partiake dhe rrjeteve sociale, gjë që krijon konfuzion dhe mosbesim. 
 
Kryeredaktorja e Portalb, Elida Zylbeari, paralajmëron se ky fenomen dëmton jo vetëm procesin zgjedhor, por edhe vetë funksionimin e demokracisë. Sipas saj, një numër i madh portalesh të kontrolluara ose të ndikuara nga partitë politike janë shndërruar në mjete propagandistike, duke u angazhuar në fushata negative kundër kundërshtarëve politikë.
 
Përveç tyre, shqetësuese është edhe shfaqja e faqeve dhe grupeve në rrjete sociale, të cilat shpërndajnë deklarata apo fotografi të pavërteta, duke i paraqitur më pas si “satirë”. Zylbeari thekson se kjo praktikë është shqetësuese jo vetëm sepse dezinformon opinionin, por edhe sepse bën që lajmet e rreme të përhapen më gjerë në publik.
 
“Kjo krijon një situatë mosbesimi te qytetarët, krijon një realitet ku ka shumë informata dhe shumë pak të vërteta. Nëse qytetarët nuk arrijnë të kenë qasje në informacion të plotë për të votuar të informuar, dëmtohet i gjithë procesi zgjedhor dhe kemi të bëjmë me një demokraci të brishtë. Kohëve të fundit përpos portaleve  të cilat ndikohen në mënyrë partiake shohim  paraqitjen edhe të disa grupeve në rrjetet sociale, të disa faqeve të cilat mbështeten nga lajmet e këtyre portaleve, shpërndajnë fotografi, shpërndajnë deklarata të cilat edhe nuk janë të vërteta të oponentëve politik dhe pastaj e quajnë si satir dhe kjo është shqetësuese”, u shpreh kryeredaktorja e Portalb, Elida Zylbeari.
 
Si zgjidhje afatgjate, Zylbeari thekson rëndësinë jetike të edukimit mediatik, duke theksuar se qytetarët duhet të mësojnë të dallojnë mes një medie serioze dhe asaj që shpërndan propagandë ose informata të pavërteta.
 
Rekomandon që qytetarët të jenë vigjilentë, të kontrollojnë burimin, të verifikojnë lajmet edhe nga media të tjera serioze dhe të analizojnë faktet përpara se të besojnë informacionin.
 
“Çfarë rekomandoj për tu zgjidhur ky problem, normal që puna e edukimit mediatik është një process i gjatë, duhet që opinioni të edukohet që nga hapat e para kur fillon shkollimin, duhet të dinë se si të bëjnë dallimin në mes një medie serioze dhe medie e cila bën propogandë apo jep të pavërteta, megjithatë për ad hoc mund të sugjeroj lexuesit që të vërejnë mirë me kujdes atë se çfarë shkruhet, të shohin se kush e boton atë, të shohin nëse kjo deklaratë apo kjo informatë gjendet edhe në mediat tjera, në mediat më serioze në mediat të cilat deri diku dihet se cfarë politike redaktuese kanë dhe të bëjnë dallimin mes asaj se çfaë është reale dhe cfarë mund të mos jetë reale apo që është gjysëm e vërtetë, të aktivizojnë mendjen e tyre kritike, të shohin se a ka burime, kush është burimi, a ka fakte dhe thjeshtë të jenë më vigjilent kur lexojnë cfardo qoftë në internet”, theksoi Zylbeari.
 
Dezinformatat mbeten një kërcënim serioz për procesin demokratik, shton Zylbeari, duke inkurajuar qytetarët dhe opinionin e gjerë të zhvillojnë mendim kritik, të mos mashtrohen lehtësisht dhe të bëjnë verifikimin e fakteve, me qëllim të sigurimit të një vote të lirë dhe një demokracie më të qëndrueshme.
 
ARMEND MURSELI