Futboll

Juve-Lazio, përplasja për trofeun e kupës

20.05.2015 10:55

Për herë të parë pas plot 20 vjetësh klubi i Juventusit ka shansin e artë për të fituar brenda një sezoni të vetëm si titullin kampion ashtu edhe Kupën e Italisë...

Në filim të sezonit sidomos pas rrokadës së cuditshme Conte – Allegri, ndryshim tepër i kontestuar madje edhe nga vetë tifozët, një arritje e tillë dukej e pamundur megjithatë për të kompletuar dicka të tillë bardhezinjtë duhet të fitojnë ndaj Lazios në finale, në një ndeshje që parashikohet të jetë tepër e fortë edhe për shkak se takimi përmbyllës i kupës do të luhet në Stadiumin Olimpico, që konsiderohet si fushë neutrale por në fakt sic dihet kjo arenë gjigante përbën impiantin ku bardhekaltërit luajnë prej dekadash ndeshjet e tyre të shtëpisë. 
 
Portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, do të luajë nga minuta e pare. Këtë e ka konfirmuar trajneri i Lazios, Stefano Pioli, i cili ka vënë besim të plotë te kosovari. 
 
Të dy ekipet siguruan kualifikimin jashtë fushës së tyre, fillimisht “zonja e vjetër” përmbysi disavantazhin 2-1 duke fituar 3-0 brenda në Firenze, ndërsa kryeqytetasit pas barazimit 1-1 ia dolën mbanë të triumfojnë në San Paolo shumë pranë fundit falë një goli të shënuar nga Senad Lulic, madje në castet e fundit 29-vjecari boshnjak shpëtoi një gol të sigurtë duke bërë që Lazio të thyejë Napolin për herë të par plot shtatë ndeshjesh. Pas titullit të siguruar prej kohësh bardhezinjtë tashmë kanë përqëndruar forcat krejtësisht në dy ndeshjet finale, me Lazion dhe Barcelonën.  
 
Këtë sezon në kampionat Juventusi i ka fituar pa shumë probleme të dy takimet ndërmjet tyre dhe natyrisht “zonja e vjetër” përvecse paraqitet si favorite ka gjithashtu edhe mundësinë për të lënë pas Romën dhe për të kryesuar e vetme me 10 Kupa, në renditjen e përgjithshme të 67 edicioneve të këtij kompeticioni.
 
Ndeshja pra do të luhet në orën 20:45 në Stadiumin Olimpico dhe takimi do të gjykohet nga 39-vjecari Daniele Orsato, që do të ketë kështu privilegjin të arbitrojë për herë të tretë radhazi finalen e Kupës së Italisë.