Maqedoni
Institucioni i avokatit të popullit, Xhelili: zgjedhja e tij është e domosdoshme
31.08.2025 15:32
Edhe pse institucioni i Avokatit të Popullit ka një rol kyç...

Edhe pse institucioni i Avokatit të Popullit ka një rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, aktualisht Maqedonia e Veriut, pas pensionimit të Naser Zyberit, mbetet pa Avokat Populli, një boshllëk që i lë qytetarët më pak të mbrojtur përballë institucioneve.
Eksperti juridik, Fadil Xhelili, thekson se mungesa e Avokatit të Popullit nënkupton që qytetarët që duan të ankohen nuk kanë kujt t’i drejtohen. Sipas tij, vonesat në zgjedhjen e tij e dobësojnë besimin e qytetarëve në shtet. Pa këtë institucion, të drejtat e qytetarëve mbeten më të ekspozuara ndaj shkeljeve.
“Kuvendi duhet të reagojë dhe të mos i lërë qytetarët pa Avokat Populli, mbrojtësin kryesor të të drejtave të tyre”, u shpreh Xhelili.
“Kuvendi nuk u tregua vigjilent dhe serioz në procedurën për hapjen e konkursit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Aq më tepër kur dihet se zgjedhja e tij kërkon votim të dyfishtë, përfshirë edhe votimin e Badenterit. Moszgjedhja apo bllokimi i procedurës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit reflekton mosgadishmëri dhe paraqet një hendikep për qytetarët, të cilët nuk kanë mundësi t’i drejtohen këtij institucioni. Kjo situatë ka shkaktuar bllokim në funksionimin normal të Avokatit të Popullit”, u shpreh eksperti juridik Fadil Xhelili.
Xhelili shton se mungesa e Avokatit të Popullit e dobëson besimin e qytetarëve në sistemin demokratik dhe e bën më të vështirë luftën kundër padrejtësive. Prandaj, zgjedhja e shpejtë e një Avokati të ri mbetet domosdoshmëri për të rikthyer garancinë se të drejtat e qytetarëve janë të mbrojtura dhe se askush nuk është mbi ligjin.
“Vendi i tij nuk mund të mbetet vakant. Patjetër duhet të vazhdojë procedura, sepse pa Avokat të Popullit – sidomos tani, në periudhën zgjedhore – shkeljet dhe padrejtësitë ndaj qytetarëve janë edhe më të mëdha. Çdo ankesë që arrin deri te Avokati i Popullit duhet të marrë përgjigje. Bllokimi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit është padyshim një njollë e zezë për Kuvendin e RMV-së, por ndërkohë tregon edhe kapacitetin e ulët demokratik të shtetit që synon të bëhet pjesë e BE-së”, theksoi Xhelili.
Aktualisht, institucioni funksionon vetëm me dy zëvendës-ombudsmanë: Ilber Rufati nga Kërçova dhe Sonja Trifunovska nga Shkupi. Shtatë vende të tjera janë bosh, ndërsa një zëvendës pritet së shpejti të dalë në pension.
Kjo situatë ka krijuar një vakum juridik që e pengon institucionin të trajtojë në mënyrë të plotë ankesat e qytetarëve.Edhe raportet ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime.
Eurodeputeti Tomas Vajc, në raportin e fundit për vitet 2023 dhe 2024, thekson me keqardhje mungesën e përparimit në forcimin e kësaj zyre. Vetëm vitin e kaluar, afro tre mijë qytetarë kërkuan ndihmë nga Avokati i Popullit.
FLORIJE KAMBERI
