Botë
Ukrainë, Tramp: Takimi Putin-Zelenski i pamundur
31.08.2025 17:11
Takimi midis Putinit dhe Zelenskit është i pamundur...

Takimi midis Putinit dhe Zelenskit është i pamundur dhe ndoshta do të kërkohen avionë amerikanë për të ndihmuar Evropën të përfundojë luftën në Ukrainë, thotë Presidenti i SHBA-së Donald Tramp.
“Një takim trepalësh do të zhvillohet, dypalësh - nuk e di. Ndonjëherë njerëzit nuk janë të gatshëm për këtë. Ndonjëherë ata duhet të luftojnë pak para se t'i ndalosh. Por kjo ka ndodhur për një kohë të gjatë. Shumë njerëz kanë vdekur", u shpreh presidenti i SHBA-së , Donald Tramp.
Ndërsa sulmet ruse vazhdojnë, SHBA-të po i japin Kievit aftësi më të mëdha sulmi për t'u mbrojtur nga Rusia.
"Presidenti Tramp po sigurohet, para së gjithash, që Ukraina të mund të vazhdojë të mbrohet, duke u dhënë atyre disa aftësi më të thella sulmi që padyshim mund t'i ndihmojnë ata në ofensivë", theksoi ambasadori i SHBA-së në NATO, Mat Uitaker.
Ndërkohë, Rusia ka njoftuar një vazhdim të luftës me qëllime të reja për ofensivën e vjeshtës, pavarësisht thirrjeve nga Perëndimi për negociata.
“Aktualisht, forcat e armatosura ruse kanë çliruar 99.7% të territorit të Luhanskut, kanë mbetur më pak se 60 kilometra katrorë dhe 79% të territorit të Donjetskut; 76% të Hersonit dhe 74% të Zaporizhias. Ofensiva është duke u zhvilluar përgjatë vijës së frontit. Ne po përcaktojmë detyrat e grupeve individuale të forcave të armatosura për periudhën e vjeshtës”, u shpreh komandanti i ushtrisë ruse Valeri Gerasimov.
Si parakusht për armëpushim, Moska kërkon që ushtria ukrainase të tërhiqet nga i gjithë rajoni i Donjetskut, një kërkesë që Zelenski e refuzon kategorikisht. Shtrëngimi i sanksioneve kundër flotës ruse në hije dhe forcimi i mbrojtjes së Ukrainës janë thelbësore dhe me rëndësi të madhe, thekson Presidentja e Komisionit Evropian.
“Ne do të vazhdojmë t'i ofrojmë mbështetje jetësore politike, ekonomike dhe ushtarake fqinjit tonë të guximshëm. Ne po shtrëngojmë sanksionet kundër Rusisë, veçanërisht ndaj flotës në hije. Ne duhet të forcojmë mbrojtjen e Ukrainës dhe duhet të marrim përgjegjësi më të madhe për qëndrimin tonë mbrojtës”, theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lejen.
Në të njëjtën kohë, hetimi për vrasjen e ish-Kryetarit Andrej Parubij për të cilën autoritetet në Kiev thanë se ishte planifikuar me kujdes. Sipas të dhënave paraprake, një burrë i panjohur qëlloi tetë plumba drejt politikanit, pas së cilës ai humbi jetën.
"Rrethanat e vrasjes së Andrej Parubij po hetohen. Shumë forca janë të përfshira , gjithçka që është e nevojshme. Krimi, për fat të keq, ishte përgatitur me kujdes. Po bëhet gjithçka për ta zgjidhur atë”, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Zakharova tha se vrasja mund të lidhet me zhytësit ukrainas të dyshuar për sulmin në Nord Streim. Njëri prej tyre mbërriti në Odesa nëpërmjet kanalizimeve të burgut, duke aluduar në një hetim gjerman për sabotim dhe tragjedinë e vitit 2014 në Odesa në të cilën Parubij ishte i përfshirë.
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU
