Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, deri në mesnatë nënshkrimet për kandidatët e pavarur
01.09.2025 14:04
Afati për grumbullimin e nënshkrimeve të kandidatëve të pavarur për zgjedhjet lokale të tetorit përfundon sonte në mesnatë....

Kanë mbetur edhe shumë pak kohë deri në përfundimin e afatit për grumbullimin e nënshkrimeve të kandidatëve të pavarur të cilët dëshirojnë të garojnë në zgjedhjet lokale të tetorit. Në mesnatë përfundon afati i parashikuar për grumbullimin e këtyre nënshkrimeve të nevojshme. Nga KShZ-ja informojnë se gjatë kësaj periudhe janë mbledhur nënshkrime në gjithsej 16 komuna për 24 kandidatë, ndërsa nënshkrime për anëtarët e Këshillit janë mbledhur në 14 komuna për gjithsej 15 lista.
“Nënshkrimet për kryetarë të komunave janë mbledhur në Makedonska Kamenicë (dy kandidatë), Kumanovë, Debërcë, Ohër, Strugë, Dibër, Qendër, Demir Kapi, Makedonski Brod, Koçan, Manastir (dy kandidatë), Mogillë, Novaci (dy kandidatë), Gostivar, Demir Hisar (katër kandidat) dhe për Qytetin e Shkupit. Në listën për nënshkrime të këshilltarëve janë mbledhur në Makedonski Brod, Koçan, Çeshinovë, Oblleshevë, Manastir (dy lista për këshilltarë), Mogillë, Sveti Nikollë, Llozovë, Karposh, Dibër, Kumanovë dhe Nagoriçan i Vjetër.”, thuhet në komunikatën e KShZ-së.
KShZ: Deri më 13 shtator do të bëhet dorëzimi i listave të kandidatëve
Afati për dorëzimin e listave për kandidatët e kryetarëve të komunave dhe për këshilltarë është deri më 13 shtator, ndërsa deri më 11 shtator është afati për mbikëqyrjen e Listës Zgjedhore, ku nëpër të gjitha zyrat, departamentet rajonale dhe ueb-faqen e KShZ-së qytetarët mund të bëjnë kontrollimin e të dhënave të tyre mbi Listën Zgjedhore. Ne vijmë e sipër në KShZ është edhe paraqitja për vëzhgimin dhe raportin e zgjedhjeve. Zgjedhjet lokale të 19 tetorit janë të tetat me radhë që nga mëvetësimi i vendit. Raundi i parë i votimit do të mbahet më 19 tetor, ndërsa i dyti më 2 nëntor. Në këto dy rrethe zgjedhore, qytetarët do të zgjedhin 80 kryetarë të komunave dhe po aq këshilla komunale dhe njëherësh do të zgjedhin edhe kryetarin e Qytetit të Shkupit.
REXHEP QAMILI
